Qeveria e Malit të Zi e ka deklaruar ambasadorin e Serbisë person non grata. Ministria e Jashtme foli për “ndërhyrjen e gjatë dhe të vazhdueshme në punët e brendshme të Malit të Zi” si arsyen e këtij vendimi, ndërsa i kërkoi ambasadorit serb Vladimir Bozovic të largohej nga vendi. Një deklaratë e Ministrisë së Jashtme pohoi se Ambasadori Bozovic nuk tregoi respekt për Malin e Zi, duke e përshkruar një vendim të vitit 1918 për t’u bashkuar me Serbinë, si një akt “çlirimi” dhe “vullneti të lirë” të popullit malazez. Parlamenti i Malit të Zi e shpalli të pavlefshëm vendimin 100-vjeçar në vitin 2018, duke pohuar se ky vendim kishte prekur sovranitetin e tij.
Mali i Zi mbetet thellësisht i ndarë midis atyre që kërkojnë lidhje më të ngushta me aleatët tradicionalë sllavë, Serbinë dhe Rusinë dhe ata që e shohin Malin e Zi si një shtet të pavarur, aleat me Perëndimin.