Shumë shkolla në vend nga sot deri në një afat të pacaktuar do të zhvillojnë mësim të kombinuar mes atij në klasë dhe online. Ky vendim ka vënë në vështirësi shumë prindër. Mësuesit shprehen pro mësimit në klasë ndërsa drejtuesit e shkollave thonë se do të veprojnë sipas situatës në shkollë.
Mësim online apo në klasë?
“Në klasë se nuk i kuptoj shumë mirë online”, shprehet nje nxënës.
Ndërsa fëmijët ndajnë mendime të ndryshme shumë prindër në Tiranë zhvillimi i mësimit në një javë dy ditë në shkollë dhe tre ditë në distancë dhe javën tjetër e kundërta i ka vënë në vështirësi.
Mësimi online për ne është i pamundur pasi kemi punën s’kemi si ti ndjekim dhe fëmijët”, ka thënë një prind.
Një tjetër prind shprehet se më e mira është në shkollë por mbi të gjitha i rëndësishëm është shëndeti i fëmijëve.
Arsimtarëve karantina e muajve të shkuar i tregoi se në të shumtën e rasteve mundi iu ka shkuar dëm. Aida Sulejmanin mësuese matematike në shkollën 9- vjeçare “Servete Maçi” në kryeqytet intensiteti i përhapjes së koronavirusit e frikëson megjithëkëtë ajo zgjedh të japë mësim në klasë.
“Frika është e pranueshme por unë për vete jam e qetë dhe pranoj më mirë të vij në shkollë sesa ta bëj mësimin online. Nuk kemi pajisje, as ne dhe as nxënësit. Mësimi me WhatsApp për mua nuk ja vlen”, ka thënë mësuesja.
Në shkollën me profil artistik “Servete Maçi” drejtoresha Nertina Nallbati na tregon se hapësira në dispozicion në raport me numrin e nxënësve dhe kushtet higjeno- sanitare i lejojnë të vijojnë zhvillimin e mësimit në klasë, por ky vendim do të vlerësohet çdo fundjave.
“Në momentin që do të ketë një numër nxënësit dhe mësuesit të infektuar atëherë do të krijojmë dhe mundësinë e mësimit të alternuar”, ka thënë ajo
Pak ditë më parë rritja e numrit të të infektuarve me koronavirus në vend detyroi Ministrinë e Arsimit tu kërkonte drejtuesve të shkollave që në varësi të kushteve në institucionin që drejtojnë të nisin kombinimin e mësimit në klasë me atë online për nxënësit nga klasa e 6 në të 9 dhe nga klasa e 10 në të 11 nga 1 dhjetori deri në një afat të pacaktuar.