Tiranë- Sipas Arben Malaj, ekspert ekonomie dhe ish-Ministër i Financave tha se raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar është një paralajmërim që po bëhet gjithnjë e më shqetësues.
Sipas tij ka një përkeqësim të stabilitetit te pikat e dobëta që FMN-ja gjen te financat publike shqiptare.
“Ajo që dëshiroj të theksoj nga gjithë analiza që FMN-ja ka bërë është që:
- e para qeveria duhet të kishte dhënë një mbështetje më të madhe për gjithë shtresat në nevojë duke filluar nga të papunët dhe pensionistët,
- e dyta është që duhet të kemi investime produktive jo investime për investime, çelje apo inaugurime investimesh që zgjasin disa vite,” – u shpreh Malaj.
Ndër të tjera ai përmendi se viti 2021 ka risqe të mëdha duke filluar nga fakti që është vit elektoral.
Hezitimi i individëve apo dhe bizneseve për të investuar para sjell përsëri risqe duke shtuar këtu edhe zhvillimet e fundit në Gjykatat Ndërkombëtare ku Shqipëria penalizohet dhe qeveria nuk njeh vendimet që më pas rrezikohet bllokimi i pasurive të huaja.
“Shqetësues është dhe politizimi i mbingarkuar 6 muaj para zgjedhjeve, pra na duhet një ambient shoqëror më i qetë që duhet ta sjellë mazhoranca, na duhet të na eleminojë çdo vonesë në Bashkimin Europian,” – tha eksperti Malaj.
Ndërkohë që sa i përket buxhetit të vitit 2021 i cili shihet si një buxhet optimist ai u shpreh skeptik.
“Propaganda është më e madhe, buxheti është më i dobët dhe risqet e buxhetit janë shumë më të mëdha,” – tregoi eksperti i ekonomisë.
Së fundmi rindërtimi u përcaktua nga Arben Malaj si një dështim i qeverisë, ku po refuzohet bashkëpunimi me ndërkombëtarët prej kontrolleve dhe siç tha dhe vetë ai, duket sikur Rama e ka ndarë mendjen që do të përdorë taksat e shqiptarëve për çështjen e rindërtimit aty ku kontrolli është më i pakët e mundësitë për manovrime më të mëdha.