Partia Demokratike ka reaguar sërish për raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të publikuar dy ditë më parë, në të cilin nënvizohej se Shqipëria ofroi ndihmën më të ulët për qytetarët dhe bizneset gjatë pandemisë. Përmes një deklarate, ish-deputetja Jorida Tabaku, nënvizoi se “raporti i FMN ishte i qartë dhe i prerë; ai tregon katastrofën në të cilën ndodhen financat publike dhe ekonomia”.
Tabaku ka theksuar se raporti tregon qartazi si qeveria i ka braktisur qytetarët pasi zgjodhi PPP-të përpara shqiptarëve, zgjodhi pagesat ndaj koncesioneve të oligarkëve përpara pagesës së nevojave të shqiptarëve në mes të pandemisë. Po ashtu në deklaratë thuhet se keqmanaxhimi i Ramës do të ndikojë në rënien e mëtejshme të prodhimin e brendshëm bruto edhe në vitet në vijim. Sipas Tabakut shqiptarët kanë nevojë për një qeveri që punon për njerëzit dhe një shtet që ofron kushte të barabarta.