Aleksandra Bogdani, gazetarja e BIRN ka deklaruar në Euronews Albania se shkrimi i publikuar ndaj biznesmenit Mirel Mërtiri ka për qëllim që të mos censurohet e vërteta, sa i përket koncesioneve për plehrat.
“Gjithkush ka të drejtë të pretendojë ndaj një shkrimi të publikuar, apo ndaj fakteve, por ne besojmë që shkrimi ka për qëllim të mos censurojë të vërtetën, të mos censurojë faktet që janë publikuar aty, dhe të intimidojë gazetarët. Kjo nuk është padia e parë që zoti Mërtiri ka bërë ndaj medias. Pra me pak fjalë zotëria mendon që të mos përmendet në shkrim, kur kjo në fakt është e pamundur për shkak se ai është një ndër përfituesit e parave publike dhe shkrimi këtë trajton. Ne kemi ndjekur paratë se kush janë përfituesit e këtyre kontratave koncesionare që kanë një sërë problematikash”, u shpreh ajo.
Bogdani sqaroi më tej se biznesmeni Mërtiri është i lidhur me dy përfituesit zyrtar të koncesioneve të plehrave, Stela Guballi, që është bashkëjetuesja e tij dhe zoti Klodian Zoto.
“Ajo që ne kemi shkruar është që zoti Mërtiri është i lidhur me dy përfituesit zyrtar të koncesioneve, Stela Guballi, që është bashkëjetuesja e tij dhe zoti Klodian Zoto, pra që është një ortak i hershëm i zotit Mërtiri.
Sa i përket kontratës më të madhe që është inceneratori i Tiranës, ne e dimë që ka pasur një mungesë totale transparence si nga autoritetet shtetërore dhe nga vetë kompania, kur janë pyetur se kush janë pronarët. Kjo kompani përfiton shumë para nga buxheti i shteti, është kontrata më e madhe në trajtimin e mbetjeve urbane. Pronarët e kësaj kompanie mbahen të fshehur”, tha ajo.
“Ne besojmë që zoti Mërtiri është i përfshirë edhe në operimin e inceneratorit të Tiranës, përmes një grupi njerëzit që punon edhe në inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit”, shtoi znj.Bogdani më tej.
Sipas saj, shkrimi është i bazuar në fakte dhe se janë të gatshëm të përballen në gjykatë me biznesmenin.
“Të themi që shkrimi ka qenë i bazuar në çdo resht të tij në dokumente zyrtare të marra në mënyrë ligjore nga institucionet shtetërore. Ka pasur hetime të prokurorisë më parë, për punë të tjera publike të zotit Mërtiri ka pasur raporte të KLSH, ku ne jemi bazuar për probleme që këto kontrata kanë pasur. Ne besojë që gjithë shkrimi është i bazuar në fakte zyrtare dhe në burime njerëzore. Ne i qëndrojmë shkrimit dhe jemi të gatshëm të përballemi në gjykatë”, tha ajo.