Festimet për Ditën e Falenderimeve po u kthehen në boomerang amerikanëve pasi vetëm brenda një jave u regjistruar mbi 230 mijë të infektuar me koronavirus. Ndërsa prej dy javësh numri ditor i viktimave është mbi dymijë. Në anën tjetër të Atlantikut, në Britani, raportohet se Mbretëresha Elisabeta e Dytë do të vaksinohet me vaksinën e prodhuar nga Pfizer-BioNTech.
Shtetet e Bashkuara po njohim rritje dramatike të infektimeve të reja me koronavirus dhe vetëm javën që kaloi autoritetet raportuan për rreth 230 mijë të tilla, ndërsa vetëm të shtunën u raportuan mbi 2,500 viktima.
Që prej dy javësh vendi regjistron mbi dymijë vdekje në ditë dhe zyrtarët e lidhin këtë përkeqësim të gjendjes me udhëtimet që miliona amerikanë bënë për Ditën e Falenderimeve, duke kundërshtuar thirrjet për të qëndruar në shtëpi.
Në nivel global, koronavirusi ka vrarë mbi 1.5 milionë vetë dhe ka infektuar mbi 66 milion të tjerë që kur u shfaq për herë të parë në Kinë vitin e kaluar.
Në anën tjetër të Atlantikut në Britani, raportohet se monarkja 94-vjeçare Mbretëresha Elisabeta II do të marrë vaksinën e Pfizer-BioNTech brenda disa javësh. Britania është vendi i parë që autorizoi përdorimin e vaksinës.
Mbretëresha dhe bashkëshorti i saj, Princi Philip do ta marrin vaksinën me përparësi për shkak të moshës së tyre të thyer.
Mediat britanike raportojnë se monarkët do ta marrin vaksinën për të inkurajuar edhe popullsinë e gjerë të bëjë të njëjtën gjë, pasi në vend është shtuar frika se vaksina mund të refuzohet si pasojë e rritjes së grupeve kundër vaksinimit dhe atyre që nxisin teori konspiracioni.
Britania ka porositur 40 milionë doza të vaksinës dhe fillimisht do të marrë këtë javë 800 mijë dozat e para.