Në Berat vazhdon të ketë një rritje të personave që janë prekur nga koronavirusi në institucione si bashki, prokurori apo edhe në burgun e Beratit.
Sipas News24 një valë e re infektimesh është regjistruar sot në Spitalin Rajonal të Beratit. Raportohet se dy mjekë të Repartit të Kirurgjisë dhe 2 infermiere në Repartin e Urgjencës në këtë spital janë konfirmuar sot “pozitivë” me Covid-19.
Pas shfaqjes së këtyre rasteve brenda Spitalit të Beratit, Inspektoriati i Higjienës ka kryer dezinfektimin dhe mbylljen e përkohshme të dy reparteve, urgjencës dhe kirurgjisë, ndërkohë që mjekët epidemiologë po kryejnë edhe hetimin e rasteve të tyre të kontaktit.
Infektimet kanë vijuar edhe në bashkinë e Beratit, ku sot janë konfirmuar pozitivë 2 specialistë, ndërkohë që edhe në Burgun e Beratit një tjetër polic sektori është infektuar me koronavirus.
Edhe në Prokurorinë e Rrethit Berat, një punonjës administrate është konfirmuar sot pozitiv me Covid-19. Rasti i sotëm rezulton të jetë rast kontakti me rastet e mëparshme, që janë konfirmuar pozitive në këtë institucion.