Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte sot në Vlorë, ku ndalesën e parë e pati në tregun e improvizuar të fruta-perimeve.
“Ju në Vlorë ja keni pirë lëngun premtimeve të pambajtura”, u shpreh kryedemokrati para tregtarëve dhe qytetarëve, ndërsa përsëriti zotimin për kufizim në dy të mandateve të qeverisë së ardhshme.
Tregtarët thanë se janë lënë në mëshirë të fatit nga bashkia dhe qeveria duke mos marrë asnjë masë për t’i ardhur në ndihmë.
Pjesë nga biseda
“Të lodhur jemi. Tejet të lodhur. Nuk kemi as kushte, asnjë gjë. Jemi në mëshirë të allahut. Bie shiu s’kemi strehë. Fryn era s’kemi strehë. Rrimë në diell gjithë beharin në diell”, – shprehet një prej tregtarëve.
“Gjithë kjo sakrificë, po rrimë për bukën e gojës. Jemi bërë ujë. Kemi ardhur që në orën 4, do vemi ujë në shpi. Asnjë kusht, asnjë gjë. Taksat një për një se vjen polici, na nxjerr nga puna. Gjithë kjo punë dhe jemi në zero në çdo gjë. Malli po na prishet, e hedhim poshtë. Nuk e di sesi do vejë halli ynë”, – thotë një tjetër prej tregtarëve që duhet të shesë në mes të baltës e ujit pa asnjë kusht.
“Ishim tek tregu na hoqën na sollën këtu në mëshirë të Allahut, edhe çadrat që ngritëm erdhi na i mori na i hodhi atje edhe rrimë në mëshirë të Allahut këtu. Puseta këtu unë këtu, uji kalon, këmbët uji kam ardhur që në orën 4. Kushtet janë.. në ujë në shin a janë bërë këmbët uji, kam ardhur që në orën 4, po rrimë këtu, taksat një për një. Kam 30 vjet paguaj taksa. Duam treg”, – thotë një zonjë ndërsa pret mes erës e shiut të shesë ndonjë produkt.
Edhe qytetarët vlonjatë janë të revoltuar, jo vetëm me gjendjen e tregut, por më shumë me situatën e rëndë ekonomike.
“Kot sa të psonisim fëmijët kanë ikur të gjithë. Kemi mbetur zall të gjithë. Çmimet në qiell, kot, kot sa rrimë ne këtu. 18 mijë lekë asistencë marr unë. Urdhëro çfarë do marrë unë me 2 mijë lekë?! 18 mijë lekë dhe vetë i katërti. As nuk marrin diçka tjetër. Gruan e kam të sëmurë, paguaj qira, drita, ujë”, – thotë një qytetar ndërsa blen 2 mijë lek të vjetra disa gjëra për familjen.
Lulzim Basha tha se qeveria e ardhshme do bëjë gjithçka që kjo situatë të ndryshojë jo vetëm për tregun e Vlorës, por për Vlorën dhe të gjithë Shqipërinë.
“Kështu nuk shtyhet dot më. U bënë 8 vite me gënjeshtra, me premtime që s’janë mbajtur asnjëherë. Kështu nuk shtyhet më asnjë ditë më shumë. Tani e kemi vetë në dorë, se populli e ka vetë në dorë ta ndryshojë qeverinë, të bëhemi bashkë. Ju në Vlorë ja keni pirë lëngun premtimeve të pambajtura, por të jeni të sigurt, po kështu kudo në Shqipëri, nga i pari tek i fundit. Nga deputeti i parë, kryeministri tek kryetari i bashkisë shohin vetëm interesat e tyre prandaj është gjendja kështu.
Do bëjmë gjithçka për ta ndryshuar. Dhe ndryshimi është shumë afër. Edhe unë të garantoj që qeveria e re që do të vijë, edhe ajo do t’i ketë mandatet e kufizuara. Kush nuk i bën dot punët për 8 vite, nuk ka fytyrë, nuk ka gojë të kërkojë edhe 4 vite të tjera. Mrekullira nuk premtojmë por do punojmë për njerëzit. Do punojmë për njerëzit, do punojmë për ju. Dhe ju do të keni pushtetin për të ndryshuar qeverinë sa herë që nuk punon për ju. Sa herë që mendon për vete”, – tha kreu demokrat.