Një autobus me pasagjerë nga Kosova është përfshirë në një aksident në Bullgari. Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 4:30 të mëngjesit të së martës. Sipas mediave bullgare, autobusi është përplasur me një kamion të ndaluar që bartte dru, afër Kyustendil të Bullgarisë.
Shoferi i kamionit kishte ndaluar pasi një pemë kishte rënë në rrugë.
Ai ka tentuar të sinjalizojë rrezikun për drejtuesit e tjerë, por nuk ka arritur të parandalojë aksidentin.
Drejtuesi i autobusit që udhëtonte në drejtim të Gueshevës është lënduar lehtë dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Kyustendil. Ndërkohë, 29 nga pasagjerët, duke përfshirë gjashtë fëmijë, u vendosën në një ndërtesë komunale. Për rastin ka nisur procedimi paraprak dhe është njoftuar prokurori kujdestar.