Tiranë- Alban Guri shoferi i automjetit që aksidentoi për vdekje 9-vjeçaren në derë të shtëpisë në Tiranë ka deklaruar para trupit gjykues se teksa ka qenë duke udhëtuar ka kuptuar se ka goditur diçka me makinë, por nuk e ka kuptuar se çfarë ishte, ndaj edhe është larguar.
Burime bëjnë me dije se ai ka qenë i dënuar edhe më parë për drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt. Gjykata e Tiranës caktoi sot masën e “arrestit me burg” për Alban Gurin. Mbi të rëndojnë akuzat “aksident me pasojë vdekjen” dhe “largim nga vendi i aksidentit”.
Ngjarja e rëndë ndodhi pak ditë më parë në rrugën “Njazi Meka” në zonën e Alliasit në kryeqytet. Vajza doli nga shtëpia bashkë me një fëmijë tjetër, i cili arriti të kalonte në anën tjetër të rrugës. Drejtuesi i mjetit, u largua nga vendngjarja, por u arrestua më vonë nga policia.
Ndërsa 9-vjeçarja u transportua me një makinë të rastit në spital, ku fatkeqësisht nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë. Policia sqaroi se Guri drejtonte mjetin nën ndikimin e alkoolit në masën 0.42 mg/l.