Operatori më i madh i shërbimeve fikse të komunikimit në Shqipëri, Albtelecom, është drejt shitjes.
Sipas informacionit nga kompania e specializuar e shitjeve dhe bashkimeve të bizneseve, Mergermarket, aksionerët e Albtelecom po shohin mundësitë e shitjes së kompanisë dhe për këtë proces kanë kontraktuar një nga katër kompanitë e mëdha të konsulencës financiare, EY (më parë e njohur, si Ernst & Young). Sipas burimeve, procesi ende është në një fazë të hershme dhe nuk ka ende një afat për përfundimin e tij.
Mbështetur në të njëjtat burime, deri tani janë dy kompani që kanë shprehur interes për blerjen e Albtelecom, një nga të cilat është kompania hungareze e shërbimeve të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, 4iG.
4iG është një kompani që e ka origjinën në vitin 1995 dhe në portofolin e vet përfshin ofrimin e pajisjeve teknologjike dhe shërbimeve të lidhura me komunikimet satelitore, sistemet e menaxhimit të proceseve të punës për bizneset, ndërtimit dhe operimin e qendrave të të dhënave, etj. Prej vitit 2004, ajo është e listuar në Bursën e Budapestit, ndërsa aksioneri kontrollues, me 61% të aksioneve, është biznesmeni hungarez Gellért Jászai, njëkohësisht kryetar i Bordit të Drejtorëve dhe Drejtor i Përgjithshëm i kompanisë.
Për vitin 2020, 4iG raportoi të ardhura totale në vlerën e 57.7 miliardë forintave hungareze (rreth 161 milionë euro) dhe një fitim para tatimit, amortizimit dhe zhvlerësimit (EBITDA) 5.05 miliardë forinta hungareze (rreth 14 milionë euro). Në fund të vitit 2020, kompania kishte 924 punonjës.
4iG është investitori i dytë i rëndësishëm hungarez që po shfaq interes për të hyrë në Shqipëri. Në vitin 2019, grupi bankar hungarez OTP hyri në Shqipëri, nëpërmjet blerjes së filialit shqiptar të Bankës franceze Societe Generale, për rreth 32.5 milionë euro. Pas krizës financiare të vitit 2008, investitorët e mëdhenj nga vendet e Bashkimit Europian po shfaqin më pak interes për tregjet strategjike të Shqipërisë dhe gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Prania e tyre në tregje si bankat apo telekomunikacionet po zëvendësohet gradualisht nga sipërmarrja lokale, por edhe subjekte nga Europa Qendrore dhe Lindore.
Privatizimi i Albtelecom, kompania vetëm me humbje
Në vitin 2007, operatori më i madh i shërbimeve fikse në vend, Albtelecom, u ble nga konsorciumi turk CETEL (i përbërë nga aksioneri kontrollues, grupi Çalik dhe aksioneri i pakicës Turk Telekom), për 120 milionë euro. Por, ky investim nuk ka rezultuar shumë i suksesshëm për kompanitë turke. Që nga privatizimi e deri më sot, Albtelecom ka qenë me humbje, për shkak të dështimit për të fituar pjesë domethënëse në tregun celular, rënies graduale të pjesës së tregut të shërbimeve fikse, por sidomos peshës shumë të lartë të shpenzimeve financiare në bilanc, të lidhura me borxhet e mëdha të kompanisë.
Albtelecom vazhdon të kryesojë tregun e shërbimeve fikse të komunikimit, me të ardhura totale për vitin 2020, në vlerën e 3.9 miliardë lekëve. Kjo shifër përbënte rreth 41% të volumit të përgjithshëm të tregut. Megjithëse vazhdon të kryesojë tregun, të ardhurat e Albtelecom kanë pësuar rënie me 12% krahasuar me një vit më parë.
Në segmentin e shërbimeve të lëvizshme, për vitin 2020 Albtelecom zotëronte rreth 13% të të ardhurave totale të tregut. Të ardhurat nga këto shërbime kishin vlerën e 3.16 miliardë lekëve, në rënie me 16% krahasuar me një vit më parë.
Sipas pasqyrave financiare të kompanisë, Albtelecom e mbylli vitin 2020 me humbje neto në vlerën e 1.17 miliardë lekëve, në rritje me 82% krahasuar me një vit më parë. Përkeqësimi i rezultatit financiar erdhi nga rënia e bazës së të ardhurave dhe rritja e shpenzimeve financiare. Totali i humbjeve të akumuluara në bilanc, në fund të vitit të kaluar, arriti vlerën e 14.8 miliardë lekëve, ose më shumë se 120 milionë euro. /E.Shehu
Marrë nga Monitor.al