Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Luigi Soreca, është vlerësuar në Gjirokastër me çelësin e qytetit, me rastin e 16 vjetorit të pranimit të Gjirokastrës në UNESCO.
Ndërsa i dhuroi çelësin, kryebashkiaku Flamur Golemi kujtoi zhvillimet e fundit në kryeqytet ku disa përfaqësues të Aleancës për Teatrin kërkuan që diplomati të shpallej “non grata”, pasi sipas tyre ka ndërhyrë te vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e shembjes së Teatrit Kombëtar.
“Zoti ambasador, disa pak të dëshpëruar në Tiranë që kanë kërkuar së fundi të shpalleni “non grata”, s’kanë asgjë të përbashkët me vlerat tona, mikpritjen shqiptare dhe vlerësimin që ne kemi për miq si ju. Jam i bindur se kaq shumë mbështetës sa ju jeni për shqiptarët dhe kaq shumë sa ju e keni promovuar Shqipërinë, do e kishit merituar një çelës në çdo qytet të Shqipërisë. Por ne në Gjirokastër u treguam më të shkathët me sa duket sepse nuk thonë kot, po the Gjirokastra i ke thënë të tëra”, tha Golemi.