Tre të dënuar me origjinë shqiptare janë arratisur nga burgu i Trevisos në Itali. Ata kishin bërë gati planin dhe rreth orës 5 të mëngjesit të djeshëm (9 qershor), prenë hekurat e qelisë ku po vuanin dënimin dhe zbritën me çarçafë.
Skena e arratisjes së tyre është e ngjashme me atë të filmit vizatimor “The Dalton Brothers”. Për dy prej shqiptarëve, liria zgjati shumë pak pasi u kapën menjëherë nga policia italiane, ndërsa tjetri arriti të humbiste gjurmët. Ai është identifikuar si Edison Pula, 30 vjeç. Pula, anëtar i bandës së Niklës, u arrestua në shkurt të këtij viti në qendrën tregtare Emisfero di Silea. Ai ishte pjesë e bandës së grabitjes së shtëpive mes Trevisos dhe Bellunos. Ai është një nga të dyshuarit për grabitjen e naftëtarit Miotto në Mogliano Veneto.
Edison Pula ishte i dënuar me burg për vrasje, grabitje dhe trafik droge. Ai ishte ndaluar me urdhër-arrest për tentativë vrasje, grabitje, posedim eksplozivi dhe krime të tjera që lidhen me trafikun e drogës, të gjitha të kryera jashtë Italisë.