Këtë muaj, anëtarët e Bordit Mbiëkqyrës të Shoqatës Shqiptare të Bankave zhvilluan një takim me ministrin e Drejtësisë, ku diskutuan çështje të lidhura me të drejtat e bankave në pozitën e tyre si kreditorë për pronat e konfiskuara, si dhe nevoja për ndryshime në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë.
Ndryshimi i kërkuar nga bankat në Kodin Civil lidhet me problemin e afatit të vlefshmërisë së hipotekës. Sipas Kodit Civil, hipoteka është një e drejtë që vendoset mbi pasurinë e debitorit ose të një të treti, në dobi të kreditorit, për të siguruar përmbushjen e një detyrimi.
Në rastin e kredive bankare, hipotekat vendosen kryesisht mbi pasuritë e paluajtshme. Në nenin 578, Kodi Civil përcaktohet se “Regjistrimi i hipotekës ka efekt për një periudhë prej 20 vjetësh nga data e kryerjes së tij. Efekti pushon në qoftë se nuk përtërihet përpara mbarimit të këtij afati. Pas mbarimit të afatit të treguar më sipër, kreditori mund të kryejë një regjistrim të ri, por në këtë rast hipoteka zë radhë dhe ka efekt kundrejt palëve të treta sipas datës së regjistrimit të ri.”
Ndërkohë që afati i parashikuar në Kodin Civil për hipotekimin e kolateraleve është maksimalisht 20 vjet, shpesh kontratat e kredisë, zakonisht ato për pasuritë e paluajtshme, kanë nëj afat më të gjatë maturimi. Por, pas vitit të njëzetë hipoteka e vendosur mbi pronën humbet vlefshmërinë ligjore dhe kreditori në këtë rast ngelet i pasiguruar.
Sipas Kodit Civil, zgjidhja do të ishte vendosja e një hipoteke të re. Por, në këtë këtë rast banka si kreditor mund të humbasë përparësinë, nëse ndërkohë mbi pronën janë vendosur hipoteka të radhës së dytë ose më tej, sepse neni 578 parashikon që hipoteka zë radhë sipas datës së regjistrimit të ri.
Kjo është arsyeja pse bankat kërkojnë ndryshimin e Kodit Civil, duke kërkuar zgjatjen e afatit ligjor të kontratës së hipotekimit. Sipas burimeve nga sektori bankar, Ministria e Drejtësisë është treguar e hapur për të kryer ndryshimet e nevojshme në Kodin Civil, me qëllim adresimin e këtij problemi.
Kjo çështje prek atë që është gjithnjë e më shumë produkti kryesor i sektorit bankar shqiptar, kredia për financimin e pasurive të paluajtshme. Normat e ulëta të interesit dhe cikli i ri i rritjes së çmimeve kanë nxitur një rritje të shpejtë të investimeve të familjeve dhe bizneseve në prona.
Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, kredia për pasuri të paluajtshme për individët në fund të muajit gusht arriti vlerën e 139.3 miliardë lekëve, 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në segmentin e kompanive private, kredia për pasuritë e paluajtshme arriti në 109 miliardë lekë, në rritje vjetore me afërsisht 11%. Të marra së bashku, kreditë për pasuri të paluajtshme arrijnë një vlerë totale prej më shumë se dy miliardë eurosh ose 41% e kredisë për ekonominë shqiptare.
Marrë nga Monitor.al