Partia Demokratike ka firmosur një koalicion për zgjedhjet lokale të 14 majit me PBDNJ. Ky koalicion u firmos sot nga Sali Berisha dhe Vangjel Dule, pasi PD-ja i la si zonë të lirë tre bashki në jug të vendit. Partia Bashkimi Demokratik për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) më 21 janar zgjedhoi 3 kandidatë për kryetarë bashkie që do garojnë në 14 maj. Sakaq, në Bashkinë e Himarës është zgjedhur të garojë Fredi Beleri, në bashkinë e Finiqit Leonidha Hristu, ndërsa në Dropull do kandidojë Anastas Maneka.
“PBDNJ ka bashkëpunim strategjik me organizatat që përfaqësojnë interesat e minoriteteve në vend dhe në këtë kuadër, përcaktohen dhe mënyra e përzgjedhjes së kandidaturave”, tha Dule. Kjo marrëveshje u përshëndet nga aleati i Berishës, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ai shkroi se kjo marrëveshje është një hap i duhur për të shkuar drejt triumfit në zgjedhjet vendore të 14 majit.
“Përshëndesim marrëveshjen e sapo nënshkruar midis Partisë Demokratike dhe PBDNJ, si një hap i rëndësishëm i bashkëpunimit dhe bashkimit të opozitës për Fitoren e Ndryshimit në 14 Maj, për t’i dhënë fund monizmit në pushtetin vendor dhe rivendosur Llogaridhënien dhe kontrollin e qytetarëve”, shkroi Meta.