Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë ditën e sotme në një konfelrencë për shtyp. Në fjalën e tij Berisha është shprehur se avokati i tij francez ka dorëzuar padinë për shpifje kundër Sekretarit Amerikan të shtetit Antony Blinken.
“Avokati im ka dorëzuar padinë për shpifje ndaj zotit Blinken në Gjykatën e Parisit. Siç iu kam njoftuar dhe më herët që pas vendimit të Blinken për të më shpallur mua non grata së bashku me familjarët e mi, udhëzova avokatin tim për të ngritur padi, javën që kaloi kjo padi u dorëzua, dhe ju do merrni dëshminë e dorëzimit të saj. Sipas avokatit tim, kjo padi për shpifje bazohet në precedentë të mëparshëm, dhe se për shpifjen nuk ka imunitet”, tha Berisha.
Berisha tha se në komunikimin që ka pasur dhe me avokatin francez, ky i fundit ka thënë se padia mund të ngrihet ndaj çdo zyrtari, sa kohë që shpifja përfshihet në veprat penale që nuk mbrohen nga imuniteti i zyrtarëve.