Çmimi me të cilën 7440 biznese të lidhur në tension të mesëm 20,10,6 kilovat do të paguajnë energjinë për janarin është 18.8 lekë. Enti Rregullator i Energjise ka marrë propozimin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për tarifën e muajit janar, ndërkohë që ky do jetë objekt rishikimi çdo muaj. Ky çmim është brenda marzhit që deklaroi më herët ministria gjatë diskutimeve me palët e interesit ku nënvizoi se luhatja do të ishte mes 18-22 lekë/kWh. Biznesi në tension të mesëm po trajtohet me çmime preferenciale që janë produkt i mesatarizimit të blerjeve nga Korporata Elektroenergjetike shqiptare me 12 lekë/kWh dhe blerjeve nga tregu i lirë që janë në rastin më të mirë 3-4 herë më të shtrenjta se marrëveshja me prodhuesin publik.
Qeveria vendosi që për këtë grup biznesi të bënte liberalizim të pjesshëm në kushtet kur shoqatat e biznesit shprehën shqetësimin se do të shkonin drejt falimentimit nëse nxirreshin në treg të lirë në këtë moment. Liberalizmi i pjesshëm nënkupton që këto biznese po furnizohen nga kompanitë publike me çmime preferenciale por jo të rregulluara ndërkohë që në çdo moment që secili prej tyre që siguron një marrëveshje me një furnizues privat me çmim më të mirë mund të lërë lirisht furnizuesin publik.
Qeveria ka dakordësuar që të mbajë në këtë regjim 7440 biznese deri në qershor të këtij viti me shpresën se çmimet e energjisë do të ulen duke i hapur kështu rrugë daljes së tyre në treg të lirë por nëse çmimet do të vijojnë të mbeten të larta është lakuar vazhdimi i këtij regjimi.
Ndërkohë bizneset e tjera që kanë dalë më herët në tregun e lirë siç janë ato në 35 kilovolt po vazhdojnë të furnizohen me çmimet reale që rezultojnë nga ankandet të cilat janë dukshëm më të larta. Muaji me tarifat më të shtrenjta deri më tani ka rezultuar nëntori me një tarifë 38.7 lekë/kWh ndërkohë që në dhjetor kishte një ulje të lehtë të këtij çmimi duke u stabilizuar në 31.7 lekë.
Çmimet e energjisë kanë pësuar një rritje të shpejtë nga shtatori i këtij viti duke arritur nivele që nuk ishin më parë ndërkohë që përveç rritjes së kërkesës post-pandemi ndikuan edhe një sërë faktorësh të tjerë të cilët e bëjnë rrugëtimin drejt çmimeve të ulëta të gjatë, e sikurse vlerësojnë edhe ekspertët në tregjet ndërkombëtare përtej 2022-it.
*Cmimet deri ne dhjetor 2021 sipas pikes se lidhjes | |
Tensioni 20 kv | 11 lekë; në pik 12.65 |
Tensioni 10/6 kv | 11 lekë; në pik 12.65 |
Marrë nga Monitor.al