Pas më shumë se 4 muajsh pas ngjarjes së rëndë që shokoi mbarë opinionin publik, Blerta Josifi, rrëfen tragjedinë e madhe, ku humbën jetën nëna dhe motra e saj, Zhaneta dhe Anisa.
Në intervistën për “Shqipëria Live”, Blerta ka rrëfyer se nuk kanë treguar se Anisa kishte ndërruar jetë pasi kishin frikë se do fajësonin atë dhe nënën e saj.
Gjithashtu Blerta tha se kanë besuar deri në moment të fundit se ajo do të rikthehej sërish tek ata.
“Kemi besuar deri në fund që ajo mund të rikthehej sërish tek ne. Në maj vendosëm që të mos dilnim për të blerë ushqime, në qershor nisëm agjërimin si një lutje që Zoti të na dëgjonte. Sepse edhe Anisa kishte shumë dhimbje dhe vuajtje”, rrëfeu Blerta.
Kujtojmë se më datë 2 korrik, në një banesë në zonën e Kombinatit u gjetën të pajeta nënë e bijë, Anisa dhe Zhaneta Josifi, ndërsa e mbijetuara e vetme ishte vajza tjetër Blerta Josifi.
Viktimat kishin humbur jetën pas ditëve të tëra pa u ushqyer, me arsyen për t’u ringjallur. Anisa kishte 15 muaj që kishte ndërruar jetë, ndërsa për trupin e saj ishin kujdesur që të mos dekompozohej motra dhe nëna, duke e lyer me vaj dhe me vendosjen e një ventilatori që largonte erën e rëndë.
Ndërsa Zhaneta Josifi kishte ndërruar jetë nga mosushqyerja vetëm 2 ditë para se të zbulohej tragjedia.