Një oksigjenist i spitalit të Kavajës është arrestuar pasi kishte shpërndarë 30 bombola pa autorizim të institucionit mjekësor.
Sipas Policisë, M.Sh, i kishte marrë këto bombola oksigjeni dhe ua kishte shpërndarë qytetarëve nëpër banesa.
Tashmë ai akuzohet për ‘’shpërdorim detyre’’ teksa menjëherë autoritetet kanë organizuar punën për të zbardhur ngjarjen e plotë.
NJOFTIMI NGA POLICIA
Kavajë
Mori pa autorizimin e institucionit mjekësor 30 bombola oksigjeni, arrestohet në flagrancë 26- vjeçari.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 30 bombolat e oksigjeni që ishin shpërndarë në banesa të qytetarëve të ndryshëm.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, menjëherë pas njoftimit të marrë se shtetasi M. Sh., me detyrë oksigjenist i spitalit të Kavajës, kishte marrë rreth 30 bombola oksigjeni pa autorizimin e këtij institucioni mjekësor, për t’ua dërguar personave të ndryshme nëpër banesa, menjëherë kanë organizuar punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Si rezultat e një punë të vazhdueshme dhe veprimeve profesionale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. Sh., 26 vjeç, banues në Kavajë.
Ky shtetas ka marrë 30 bombola oksigjeni në institucionin ku punonte, pa autorizimin e drejtuesve, dhe më pas i ka shpërndarë ato nëpër banesa të qytetarëve të ndryshëm.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprën penale ‘Shpërdorim detyre”.