Bordi i Transparencës dhe Monitorimit të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë/Pakicë të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të tjera ka njoftuar ditën e sotme një ndryshim në çmimin e ushqimeve. Kështu, sipas njoftimit, duke nisur nga kjo e hënë çmimi i shitjes së sheqerit është rritur me 10 lekë. Ndërkohë çmimet e produkteve të tjera: si mielli apo orizi kokërrgjatë kanë mbetur të pandryshuara. Mielli masiv tregtohet me 90 lekë/kg, ndërsa orizi kokërrgjatë për 101 lekë për konsumin familjar. Ndërsa në lidhje me vajin e lulediellit, Bordi vendosi në mbledhjen e mëparshme që të mos ketë çmim të unifikuar për importuesit.
“Bordi i Transparencës dhe Monitorimit të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë/Pakicë të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të tjera të lidhura me to në zbatim të aktit normativ nr. 7, datë 18.03.2022 “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”,
VENDOSI
1.Miratimin e marzheve që do të aplikohen për produktin ushqimor bazë sheqer, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar nga rritja e çmimeve ndërkombëtare.
2.Për artikullin sheqer (1 kg) miratohen marzhet si më poshtë:
- Marzhi tavan i tregtimit të shitjes me shumicë të sheqerit nga importuesi dhe ambalazhuesi është 15 lekë/kg (6 lekë/kg për importuesin dhe 9 lekë/kg për ambalazhuesin) mbi koston e importit plus detyrimet e paguara në doganë.
- Marzhi i tregtimit të transportuesit i cili mund të jetë shitësi me shumicë, shitësi me pakicë apo palë të treta, nga magazina e shitësit me shumicë tek magazina e shitësit me pakicë është 2 lekë/kg mbi çmimin e llogaritur sipas gërmës “a” të këtij paragrafi.
- Marzhi i tregtimit të shitjes në njësitë e tregtimit me pakicë të produktit sheqer është 3 lekë/kg mbi çmimin e llogaritur sipas gërmës “a” të këtij paragrafi plus transportin sipas gërmës “b” të këtij paragrafi.”thuhet në njoftim.