Banka e Shqipërisë ka propozuar disa ndryshime në rregulloren “Mbi parimet bazë të drejtimit të bankave dhe degëve të bankave të huaja dhe kriteret për miratimin e administratorëve të tyre”.
Ndryshimet e propozuara lidhen kryesisht me përcaktimin e një kuadri më të detajuar lidhur me politikat e shpërblimit të ndjekur nga bankat tregtare në Shqipëri.
Politikat e shpërblimit duhet të përmbajnë elemente si objektivat e performancës së bankës, sipas fushave të veprimtarisë dhe të biznesit, si dhe për punonjësit, metodat e vlerësimit të performancës, duke përfshirë dhe kriteret e vlerësimit të performancës, si dhe elementet e ndryshueshëm të shpërblimit.
Projekt-ndryshimet përcaktojnë se stafi, i cili ushtron funksionet e kontrollit, duhet të ketë politika shpërblimi të pavarura nga njësitë e biznesit që kontrollon dhe që nuk duhet të lidhen me performancën e realizimit të objektivave të biznesit. Politikat dhe praktikat e shpërblimit duhet të jenë transparente për stafin, për sa u përket elementeve përbërës dhe kriteret e përfitimit të tyre.
Këshilli drejtues vendos shpërblimet mbi bazën e elementeve të pandryshueshëm dhe të ndryshueshëm. Raporti midis elementit të pandryshueshëm dhe atij të ndryshueshëm, në totalin e shpërblimit mund të ndryshojë sipas kategorive të personelit të bankës.
Elementi i pandryshueshëm i shpërblimit përfaqëson pjesën më të lartë në totalin e shpërblimit, me qëllim që të lejojë funksionimin e politikave elastike për elementin e ndryshueshëm në shpërblim, duke përfshirë edhe mundësinë e mospagimit të tij. Elementi i pandryshueshëm është i përhershëm, i paracaktuar dhe i pakthyeshëm.
Elementi i ndryshueshëm përcaktohet në varësi të situatës financiare të bankës, performancës së përgjithshme të saj dhe performancës së njësive individuale të biznesit. Ky element mund të zbatohet për një kategori të caktuar të stafit, të identifikuar nga banka.
Elementi i ndryshueshëm mund të jetë në disa forma (për shembull, bonuse, aksione, etj.) dhe zvogëlohet në rastet kur banka ka performancë financiare negative, ose hiqet në rastet kur ajo rezulton me humbje. Elementi i ndryshueshëm mund të paguhet paraprakisht, ose i shtyrë në kohë. Pagesa të shtyra në kohë janë marrëveshje, në bazë të së cilës një pjesë e shpërblimit të ndryshueshëm, e cila mund të jetë në cash ose instrumente, i akordohet punonjësit, por pagesa bëhet pas një periudhe disavjeçare, jo më pak se 3 vjet.
Rregullimi i elementeve të ndryshueshëm të shpërblimit, pasi ai të jepet (ex- post), duhet të sigurojë që të gjithë anëtarët e stafit janë shpërblyer bazuar në një performancë të qëndrueshme për periudhën afatgjatë, si rezultat i vendimeve të marra në të kaluarën.
Banka mund të kryejë rregullimin ex-post nëpërmjet mekanizmave të tillë si malus, një marrëveshje që i lejon bankës të ulë vlerën e të gjithë shpërblimit të ndryshueshëm të shtyrë ose të një pjese të tij, bazuar mbi rregullimet ex-post të rrezikut, ose clawback, një marrëveshje sipas së cilës punonjësi është i detyruar të kthejë një shumë të shpërblimit të ndryshueshëm, që i është paguar në të kaluarën, në rrethana të përcaktuara qartë.
Banka, përpara kryerjes së pagesave të shtyra në kohë, duhet të bëjë një rivlerësim të performancës dhe, nëse është e nevojshme, të aplikojë rregullimin ex-post, duke harmonizuar shpërblimin e ndryshueshëm me rrezikun shtesë, që është identifikuar ose materializuar pas miratimit të shpërblimit.
Bankat duhet të përfshijnë ndikimin e shpërblimit të ndryshueshëm në planifikimin e kapitalit dhe të likuidititetit, si dhe në procesin e vlerësimit të brendshëm të mjaftueshmërisë së kapitalit.
Këshilli drejtues i bankës duhet të rishikojë periodikisht politikat dhe praktikat e shpërblimit, me qëllim që të pasqyrojë në to ndryshimin e situatës financiare, në të cilën ndodhet banka dhe është përgjegjës për zbatimin e saj. Ky rishikim duhet të kryhet të paktën një herë në vit.
Marrë nga Monitor.al