Ministria e Shëndetësisë së Kosovës thotë se do të dërgojë në Shqipëri rreth 60 profesionistë shëndetësorë, për t’u vaksinuar kundër koronavirusit.
MSH thotë se lista e mjekëve të Kosovës i është dërguar autoriteteve shqiptare, të cilat më herët kanë shprehur gatishmërinë që punonjësit shëndetësorë nga Kosova të vaksinohen në Kukës.
“Ministri (i Shëndetësisë së Kosovës, Armend) Zemaj e ka informuar homologen e tij, ministren Ogerta Manastirliu për listën e vullnetarëve për vaksinim dhe në koordinim midis autoriteteve të dy shteteve, do ta bëhet edhe aranzhimi i aspekteve logjistike dhe vaksinimi i tyre”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Më herët, Shqipëria ka thënë se ka në dispozicion 100 doza të vaksinës kundër koronavirusit për mjekët e Kosovës.
Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që ende ka nisur fushatën e imunizimit kundër koronavirusit.
Kosova pret që të marrë falas 100.800 doza të vaksinës së AstraZenecas përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX. Këto vaksina është paralajmëruar se do të arrijnë në muajin mars.
Zyrtarët qeveritarë po ashtu kishin deklaruar se kanë arritur marrëveshje me kompaninë Pfizer për sigurimin e 500.000 dozave të vaksinës, por nga kjo kompani, kanë deklaruar më herët për Radion Evropa e Lirë se ende janë në diskutim me Qeverinë e Kosovës/REL.