Maqedonia e Veriut ka regjistruar të shtunën 14 të vdekur si dhe 361 të infektuar me koronavirus, ndërkohë që rekord është shënuar sa i përket të shëruar, gjithsej 2.116 persona. Shifrat për rastet e reja, që janë publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, bazohen në testimin e 2.176 mostrave në laboratorët shtetërorë dhe privatë.
Viktimat janë: 6 në Shkup, nga 2 në Tetovë dhe Strumicë si dhe nga 1 në Kumanovë, Prilep, Strugë dhe Ohër.
Sipas të dhënave, numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 2.696 persona, i të shëruarve në 71.592, ndërsa raste aktive janë 14.461 persona. Që nga paraqitja e pandemisë në Maqedoninë e Veriut, me sëmundjen COVID-19 janë diagnostikuar 88.749 persona, nga më shumë se 430.000 teste të kryera.