SHBA- Presidenti republikan, Donald Trump dhe rivali i tij demokrat, Joe Biden përballen në debatin e dytë të enjten, 12 ditë para zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Dy kandidatët, të dy në të 70-tat, ndërprenë disa herë njeri-tjetrin gjatë debatit të parë në fund të shtatorit që u cilësua si debati më i keq në historinë e debateve presidenciale.
Këtë radhë, Komisioni i Debateve Presidenciale, një institucion i pavarur, do t’ia mbyllë mikrofonin kandidatit ndërkohë që rivali i tij i përgjigjet pyetjes lidhur me gjashtë tema aktuale të zgjedhura nga gazetarja e kanalit NBC News, Kristen Welker e cila do të drejtojë debatin.
Nëse asnjëri nga kandidatët nuk përpiqet të ndërpresë tjetrin gjatë komenteve 2 minutëshe në hapje, komisioni tha se mendon që votuesit e pavendosur do të kenë mundësi të dëgjojnë më qartë pikëpamjet e rivalëve.
Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga debati i parë, i cili do të zhvillohet në një mjedis universitar në Neshvill të shtetit Tenesi. Debati i dytë u anulua fillimisht pasi presidenti u shtrua në spital për COVID-19. Komisioni reagoi duke njoftuar se debati i dytë do të zhvillohej online, por presidenti nuk pranoi dhe planet u anuluan.
Ndërkaq, miliona amerikanë kanë vendosur se për kë do të votojnë. Deri tani 41 milionë kanë votuar ose me postë ose fizikisht.
Debati i së enjtes mund të jetë shansi i fundit më i rëndësishëm për Presidentin Trump për të reduktuar epërsinë e rivalit Biden në anketa. Me afro gjysmë shekulli përvojë në politikë, zoti Biden ka një avantazh prej 9-10% në anketa kombëtare, por në shtete të lëkundura kjo epërsi është shumë më e ngushtë. Këto shtete fushëbetejë janë vendimtare për rezultatin.
Gazetarja Welker ka thënë se do t’i pyesë kandidatët për masat e tyre për të vënë nën kontroll pandeminë.
Në një intervistë me kanalin Fox News të martën, Presidenti Trump kritikoi zonjën Welker si “plotësisht partiake” dhe kritikoi komisionin e debateve duke thënë se është tendencioz kundër tij.
Presidenti tha se nuk është i kënaqur që do t’i mbyllin mikrofonin gjatë deklaratës hapëse dhe shtoi se debati duhet të ishte përqendruar tek politika e jashtme dhe jo te pandemia dhe tema të tjera.
Ekipi i zotit Trump ka thënë se presidenti do të ngrejë këtë radhë një temë që nuk u prek gjatë debatit të parë — akuzat se djali i zotit Biden, Hunter kishte përdorur emrin e të atit dhe postin e tij si nënpresident për të hyrë në marrëveshje fitim-prurëse me Ukrainën dhe Kinën.
Zoti Biden i ka cilësuar akuzat lidhur me të birin “fushatë njollosjeje” por nuk u është përgjigjur konkretisht këtyre akuzave lidhur me marrëveshjet e të birit, ndër to edhe një vend për Hunter Biden në bordin e kompanie gazi, sipas disa raportimeve të medias sociale, ku ai paguhej rreth 50 mijë dollarë në muaj./ VOA