Sërish debate në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike mes Flamur Nokës dhe kreut Lulzim Basha. Raportohet se Noka i ka thënë liderit të demokratëve që në mbledhje po diskutohet si të jetë situata normale, por sipas tij, demokratët janë të paqartë.
Kurse, Basha i është kthyer Nokës, i cili ka dalë hapur në mbështetje të liderit historik Sali Berisha, se ka dalë të flasë me demokratët por shton se nuk do të dalë për t’i hedhur benzinë zjarrit.
Pjesë nga debati:
Flamur Noka: “Ne po diskutojmë dhe po sillemi sikur jemi në një situatë normale, flasim për strategji, flasim për aksione ndërkohë që vetë demokratët janë të paqartë. Ti nuk del të flasësh me demokratët, t’u flasësh për masakrën zgjedhore.”
Lulzim Basha: “Unë kam dalë dhe do të dal të flas me demokratët, por nuk dal për t’i hedhur benzinë zjarrit.”
Ndërkohë, mbledhja e grupit ka përfunduar prej disa minutash tashmë. Në këtë mbledhje, Basha u ka kërkuar deputetëve që të takohen me qytetarët për shqetësimet e tyre. Mes të tjerash, kreu i PD u ka kërkuar deputetëve që të marrin informacion pranë prokurorive për ecurinë e hetimeve për “masakrën zgjedhore” të 25 prillit.