Dështon raundi i parë i votimit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës në seancën e sotme plenare! Menjëherë pasi kryeparlamentari Glauk Konjufca ka nisur punimet plenare, në sallë janë vendosur 82 deputetë, nga 80 të nevojshëm për të zhvilluar “raundin e parë”. Por vetëm 78 prej tyre kanë votuar, duke mos i plotësuar kushtin, ndaj është vendosur që menjëherë të votohet sërish.
Në sallë bashkë me kolegët ndodhet edhe vetë Vjosa Osmani, e cila sapo ka hyrë ka përshëndetur deputetët e LDK-së dhe më pas ka takuar për pak çaste Behgjet Pacollin, një prej zërave kritikë ndaj saj.
Përveç Vjosa Osmanit, në garën për të parin e shtetit do të kandidoj edhe Nasuf Bejta. Konfirmimin për kandidimin e tij e ka dhënë vetë Bejtja ku është shprehur se është një kandidat serioz për këtë pozitë.
Ndërkohë që Osmani ka marrë “bekimin” nga partia e saj për kandidimin, kryetari i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka tërhequr deputetët e tij. Ai deklaroi se deputetët e këtij subjekti politik nuk do të marrin pjesë në seancën e thirrur të Kuvendit për votimin e presidentit, mirëpo një votë i ka rrjedhur, ajo e Albena Reshitaj.
SI ZGJIDHET PRESIDENTI NË KOSOVË:
Sipas Kushtetutës, që një person të zgjidhet president i Kosovës, në dy raundet e para të votimit duhet të sigurojë dy të tretat e ulësve në Kuvend, pra 80 kartona jeshilë nga 120 në total. Në raundin e tretë gjithçka lehtësohet, pasi president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë. Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.