Presidenti i Republikës Ilir Meta me rastin e Ditës Botërore të Ujit u ka bërë thirrje shqiptarëve që të solidarizohen me kauzën e shpalljes së Vjosës Park Kombëtar.
Në një postim në Facebook, Meta shkruan se është përgjegjësi e jona që ta mbrojmë Vjosën, si një trashëgimi të vyer natyrore kombëtare dhe europiane nga çdo projekt që ai i cilësoi si shkatërrimtarë dhe abuzues.
Vjosa ka një rëndësi mbarë europiane, shprehet kreu i shtetit, ndaj ai duke risjellë në vëmendje edhe rezolutën e Parlamentit Europian për shpalljen e saj Park Kombëtar, nxit autoritetet e larta të BE “të përkrahin fuqimisht kauzën, që na përket të gjithëve.”
POSTIMI NË FACEBOOK
Me rastin e Ditës Botërore të Ujit, i inkurajoj të gjithë shqiptarët të solidarizohen me kauzën e shpalljes së Vjosës Park Kombëtar, në të gjithë gjatësinë e lumit.Është përgjegjësia jonë të mbrojmë këtë trashëgimi të vyer natyrore kombëtare dhe europiane nga çdo projekt shkatërrimtar dhe abuzues.Thellësisht mirënjohës për kontributin e jashtëzakonshëm të aktivistëve mjedisorë, shkencëtarëve dhe akademikëve vendas e të huaj, që i kanë dhënë forcë zërit të komunitetit duke shfaqur në Tiranë , por edhe në kryeqytetet më të rëndësishme të Europës, në Bruksel, Berlin dhe Paris thirrjen që buçet nga lumi: VJOSA PARK KOMBËTAR TANI!Vjosa ka një rëndësi mbarë europiane. Ndaj duke risjellë në vëmendje edhe rezolutën e Parlamentit Europian për shpalljen e saj Park Kombëtar, i nxis të gjitha autoritetet e larta të BE të përkrahin fuqimisht kauzën, që na përket të gjithëve.E DUAM VJOSËN DHE DO TA MBROJMË!