Sot në Kosovë pritet që të mbërrijnë 4680 dozat e para të vaksinës anti-COVID të llojit Pfizer. Këto vaksina janë pjesë e kontingjentit të 95 mijë vaksinave Pfizer që Bashkimi Evropian do t’i sjellë në Kosovë.
“Sot pritet të vijnë 4680 vaksina Pfizer të BE-së. Edhe gjatë javëve në vijim pritet të vijnë kontingjent deri në marrjen e të gjitha 95 000 dozave”,- thuhet në përgjigjen e MSH-së për Telegrafin.
Komisionieri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, kishte njoftuar se dozat e para të vaksinave do të mbërrinin në Kosovë gjatë kësaj jave. Ndërkaq, Komisioni Evropian dhe Austria patën njoftuar më 20 prill se 651 mijë doza të vaksinës BioNTech/Pfizer do të dorëzohen në rajon çdo javë nga fillimi i muajit maj e deri në muajin gusht.
Këto vaksina janë paraparë për të ndihmuar në shpejtimin e kampanjës së vaksinimit e për të siguruar që grupet në rrezik të marrin vaksinën. Vaksinat janë ndarë nga pakoja 70 milionë euroshe, e siguruar nga Bashkimi Evropian.
Austria ka lehtësuar shpërndarjen e vaksinave përmes marrëveshjeve me prodhuesin dhe çdo partner të Ballkanit. Shpërndarja do të bëhet në bazë të nevojës epidemiologjike. Për Kosovën janë caktuar 95 mijë doza.