Fushë Kruja është zgjuar mëngjesin e sotëm e rrethuar nga forca të shumta policie që po zhvillojnë një aksion. Sipas policisë operacioni është me fokus Niklën dhe objektiv goditjen e fenomenit të kultivimit të kanabisit, por edhe kapjen e personave në kërkim.
“ABC” mëson se sot në operacion janë 13 furgonë dhe makina policie në Nikël dhe Ishëm. Po sipas të njëjtave burime në dy zonat që është stacionuar policia janë evidentuar nga droni 31 parcela me kanabis në fshatrat e thellë të Niklës dhe 12 në Ishëm.
“ABC” sjell pamjet e zbarkimit të furgonëve të policisë me forcat e FNSH-së të mbështetur nga drejtoria e policisë Durrës. Ende nga policia nuk ka asnjë njoftim lidhur me bilancin e operacionit. Nikla ka qenë disa herë qendër e operacioneve të befasishme, por jo gjithmonë rezultatet kanë qenë të pritshme.