Policia Rrugore e Lezhës vijon me ndëshkimin e shoferëve që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugorë, ku në 24 orët e fundit janë arrestuar 5 persona, ndërsa janë proceduar në gjendje të lirë edhe dy të mitur.
Janë arrestuar në flagrancë personat me inicialet M. D., I. S., A. Sh., E. A. dhe S. I., si dhe janë proceduar penalisht shtetasit F. N. dhe Z. N., pasi janë kapur nga policia duke drejtuar mjetet e tyre pa patentë, në akset rrugore Lezhë-Milot-Kurbin dhe Lezhë-Mabë-Shkodër.
Policia njofton po ashtu se janë tërhequr 21 leje drejtimi dhe janë vendosur 58 masa administrative për tejkalim shpejtësie, 65 për parakalime të gabuara, manovra të rrezikshme dhe për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.
Po gjatë këtyre kontrolleve janë shoqëruar për verifikim në Komisariatet e Policisë Kurbin dhe Lezhë, 6 drejtues mjetesh.