KOSOVË– Një efektiv i Policisë së Kosovës, ka mbetur i plagosur me armë zjarri teksa kryente detyrën e tij. Ekspress shkruan se rreth orës 05:30 minuta, grupi me të cili patrullonte efektivi në fjalë është paraqitur pranë një qendre tregtare në lagjen Veterniku në Prishtinë, pasi është lajmëruar për grabitje.
Pasi ka mbërritur aty, efektivi është përleshur me hajdutët të cilët nuk donin të dorëzoheshin. Ata qëlluan me armë zjarri drejt policisë dhe një prej tyre mbeti i plagosur. Aktualisht i plagosuri ndodhet në spital dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Ai ka marrë vetëm një plumb në këmbë.
Aktualisht grupi hetimor ka nisur hetimin. Janë sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë , me anë të të cilave do të zbardhet ngjarja dhe mund të identifikohen autorët e ngjarjes.
Njoftimi i policisë: Rreth orës 05:30 është pranuar informata për një tentativë grabitjeje të një bankomati në një qendër tregtare në lagjen Veterniku në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia me shpejtësi ka dalë në vendin e ngjarjes dhe të dyshuarit, për t’iu shmangur kapjes nga policia, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë dhe për pasojë kanë plagosur një zyrtar policor, i cili menjëherë është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Aktualisht policia është në vendin e ngjarjes dhe po i kryen ekzaminimet e nevojshme si dhe po i ndërmerr të gjitha masat policore për një hetim të detajuar me fokus identifikimin e të dyshuarve, lokalizimin e vendndodhjes së tyre si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.