Dhoma Amerikane ka kërkuar me forcë shtyrjen e afatit të zbatimit të penaliteteve që fillojnë nga 1 janari për bizneset që nuk kanë bërë procesin e fiskalizimit. Dhoma ka kërkuar që afati pa penalitete të shtyhet deri në fund në fund të vitit 2022.
Dhoma ka kërkuar dhe shtyrjen e periudhës tranzitore që lejon deklarimin manual në e-filing të librit të shitjeve dhe blerjeve.
Kërkesat u bënë gjatë një takimi që ekspertët e Komitetit të Taksave dhe Doganave në Dhomën Amerikane bënë me Drejtorin Ceno Klosi dhe me përfaqësues të lartë të DPT për të diskutuar mbi çështje teknike të zbatimit të proçesit të fiskalizimit.
Gjatë takimit u trajtuan çështje të tilla si aksesi në platformën qëndrore të faturave; fiskalizimi i importeve; dublikimi i faturave të shitjes; lëshimi i faturave korrigjuese për faturat e lëshuara më parë; rishikimi dhe rregullimi i librave të TVSH-se në platformën qëndrore të faturave; nevoja për një manual mbi llojet e proceseve, faturave, pagesave, gabimeve etj; si dhe nevoja për ndryshime ligjore në aktet nënligjore mbi fiskalizimin me qëllim sqarimin e problematikave.
Afati i përfundimit të periudhës pa gjoba për fiskalizimin është 31 dhjetor 2021. Por, për shkak të nivelit të ulët të fiskalizimit të deritanishëm të bizneseve, shoqatat e kontabilistëve dhe Dhomat e bizneseve po kërkon shtyrjen e afatit të zbatimit të penaliteteve.
Sipas të dhënave nga tatimet, deri më 14 dhjetor janë fiskalizuar 60,000 subjekte (50% e totalit që kanë detyrimin të fiskalizohen) dhe janë lëshuar 130 mln fatura të fiskalizuara. Në total kanë aplikuar dhe janë pajisur me certifikatë elektronike në të gjithë vendin 89,000 subjekte.
Te fiskalizuar dhe që lëshojnë fatura të fiskalizuara rezultojnë 42% e bizneseve të vogla në vend. Të pajisur me certifikatë elektronike janë 71% e biznesit të vogël.
Brenda 2021 fiskalizimi mbyllet i plotë për biznesin e madh. Sipas tatimeve nga totali i 25,392 bizneseve të mëdha aktive janë fiskalizuar 86% e tyre. Kanë mbetur të pafiskalizuar 3,300 subjekte.
Pak ditë më parë, në takimin me temë “Fiskalizimi, mundësitë, sfidat dhe vështirësitë” të organizuar nga departamenti i kontabilitetit në Fakultetin e Ekonomisë, drejtori i përgjithshëm i politikave fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera deklaroi se është duke u shqyrtuar mundësia e shtyrjes edhe për disa muaj të periudhës pa penalitete vetëm për biznesin e vogël dhe bizneset utilitare të shërbimit. Lera tha se për pjesën tjetër të bizneseve nuk pritet që aplikimi i gjobave të nisi që nga janari 2022, pasi qasja e administratës tatimore është e bazuar te ofrimi i ndihmës ndaj sipërmarrjes me qëllim realizimin e kësaj reforme. Kreu i politikave fiskale në MFE theksoi vështirësitë që po hasen gjatë zbatimit të procesit, por ai garantoi se brenda 2022 problematikat e shfaqura do të zgjidhen nëse palët bashkëpunojnë mes tyre.
Marrë nga Monitor.al