Oferta për vende të lira pune pas pandemisë mori një goditje të fortë, si në drejtim të sasisë, edhe të cilësisë.
Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, vendet e lira të punës shënuan rritje të lehtë në muajin gusht duke arritur në rreth 2000 oferta në 65 qytete dhe njësi administrative të vendit, por vetëm rreth 5% e tyre janë destinuar për personat me arsim të lartë.
Pjesa dërrmuese e vendeve të lira të punës ofrohen për persona me arsim fillor dhe të mesëm. Të dhënat nga zyrat e punësimit tregojnë se oferta për punë është përmirësuar disi gjatë muajit gusht, por ajo mbetet shumë e ulët në krahasim me vitin normal 2019, ku bizneset ofruan në zyrat shtetërore të punës rreth 40 mijë vende të lira në të njëjtën periudhë.
Sipas të dhënave të kësaj jave, Bashkia e Durrësit ka ofruar numrin më të madh të vendeve të lira të punës me rreth 86 kërkesa. Shumica e kërkesave janë për banakier, kamerier, bukëpjekës, sanitarë, punonjës fasoni, punëtore magazine etj.
E dyta me ofertën më të madhe të vendeve të punës është Tirana me 74 vende të lira pune. Oferta e kryeqytetit është e përqendruar kryesisht për kamerier, berber, shofer, edukatore kopshti, punonjës rrobaqepësie etj. Të dhënat tregojnë se 71% e ofertës së punës është për arsimin 8 -9-vjeçar, rreth 25% e ofertës është për arsimin e mesëm dhe më pak se 5% për arsimin e lartë.
Pjesa dërrmuese e pagave të ofruara mbi 90% janë 30,000 mijë lekë në muaj, shumë pak oferta ofrohen për paga deri në 50 mijë lekë.
Tregu i punës në Shqipëri edhe para pandemisë vuante nga mungesa e vendeve të punës që ofrojnë nivel të lartë të njohurive.
Modeli ekonomik i vendit bazohet më së shumti te krahu i lirë i punës, teksa vendet e punës që kërkojnë aftësi dhe kualifikime janë shumë të pakta.
Tregjet financiare dhe ato të telefonisë, të cilat në fillim të viteve 2000 nxitën punësimin meë vlerë të shtuar, tani janë maturuar dhe po shkurtojnë stafet për shkak të proceseve të reja të dixhitalizimit që po zëvendësojnë punën nga njerëzit.
Nga ana tjetër, mungojnë investimet e huaja dhe ato vendase në sektorë me vlerë të shtuar si në teknologji dhe TIK.
Në pamundësi për të siguruar një punë me pagë të lartë në vend, shumë të rinj i janë drejtuar emigracionit, ndërsa të tjerë që zotërojnë një profesion po punojnë online për kompani të huaja.
Marrë nga Monitor.al