Dy shqiptarë u arrestuan nga drejtësia italiane pasi dyshohet të jenë autorë të një grabitje në një pikë karburanti më 26 korrik në Tovena di Cison në Valmarino, province e Trevisos.
Në prang aka rënë 31-vjeçari Selim Leba dhe 40-vjeçari Nikolin Koçi. Sipas mediave italiane, 31-vjeçari nuk është resident në Itali dhe qëndron në një familje shqiptare në provincën e Podenone.
Ndërsa 40-vjeçari është resident në Itali dhe qëndron në Orsago. Ata janë bashkautorë të një grabitje në një pikë karburanti. Fillimisht, shqiptarët u ndalën për të mbushur makinën me karburant teksa pikasën një person i cili po rregullonte një tabelë të qarkullimit rrugor.
Ky i fundit kishte lënë makinën e tij të parkuar dhe me xhamat hapur. Një prej shqiptarëve u afrua dhe vodhi një qese ku italiani kishte sendet personale, portofolin dhe celularin. Kur u kthye për në makinë, grabitësi shqiptar u pikas nga italiani i cili i shkoi nga pas. Por dy grabitësit u futën menjëherë në makinë dhe u larguan nga vendngjarja.
Policia ka arritur të identifikojë autorët rreth dy muaj pas ngjarjes duke analizuar pamjet filmike nga karburanti.