Partia Demokratike ka publikuar listën fituese të anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Janë 300 anëtarë e rinj të Këshillit, të cilët janë zgjedhur pas votimit ditën e djeshme në Kuvendin Kombëtar.
Pjesë e listës janë emra të njohur në PD. Ndërkohë, vihet re se mungojnë ish-sekretari i përgjithshëm Arben Ristani dhe Edith Harxhi. Kjo e fundit garoi përballë Lulzim Bashës për të marrë drejtimin e partisë dhe është një ndër zërat më kritikë të kreut aktual të demokratëve.
Sakaq, risi në këshillin e ri janë Oriela Nebijaj, e cila nuk mundi të futej në Kuvend, djali i Sokol Olldashit, Glauk Olladashi, si dhe artisti Robert Budina.
Kujtojmë se satuti i PD-së parashikon që automatikisht anëtar të Këshillit Kombëtar të PD-së zgjidhen ish-presidentët, ish-kryeministrat, ish-kryetarët e Kuvendit, ish-kryetarët e PD-së, që janë anëtarë të partisë në momentin e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar.
Gjithashtu automatikisht zgjidhen deputetët, kryetarët e degëve, anëtarët e Kryesisë, anëtarët e kolegjit të kryetarëve të partive në degë, kryetarët e bashkive, të këshillave të bashkive dhe qarkut, gjithmonë ata që janë nën siglën e PD-së.