Berat- Kryeministri Edi Rama në një intervistë të dhënë në qytetin e Beratit ka komentuar punën dhe arritjet e deritanishme nga qeveria e tij, duke e cilësuar jo si dy mandate të plota pune, por si një mandat e gjysëm ashtu siç e quan ai. Kjo duke marrë shkas nga tragjedia e nëntorit të 2019 dhe më pas pandemia, që sipas Ramës kanë penguar në punën e tyre.
Rama ka ironizuar gjithashtu edhe punën që Basha premton për zgjedhjet e 25 prillit, duke rikujtuar premtimin e tij ‘bosh’ të tramvajit të Tiranës e duke e quajtur ‘kukullën’ e gogolit.
“Më shumë se sa studimi në perëndim, lideri i ri në ‘perëndim’ ka në biografinë e tij tramvajin e Tiranës. Nga ana tjetër ajo është e njëjta jo vetëm shtëpi, por e njëjta firmë, e njëjta familje politike. Madje pjesa që e përfaqësonte atë në një formë besnike është eliminuar dhe ku është një mish-mash i vërtetë. Ai që ishte me këtë që është në vetvete, ishte gogoli i shtëpisë, ky kukulla. Gogoli nuk ka ikur nga shtëpia, por te dera ka ardhur mama dhia. Është kukull në duart e gogolit dhe është ai që dihet. Duke pasur mama dhinë tek dera, këtu bëhet e qartë se bëhet fjalë për t’i kthyer pas. Dhe për të rikaluar përgjegjësit edhe punët e këtij shteti në duart e një katërshe që ka pasur mundësitë dhe i ka ezauruar.”, u shpreh Rama.