Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka ulur ndjeshëm parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë vitit të ardhshëm. Rishikimi në ulje ka ndodhur dy herë brenda një kohe të shkurtër, duke e çuar në rreth 2%.
Sipas “Pasqyrës Ekonomike Globale”, të publikuar sot, vendi pritej që të zgjerohej me 2.5% gjatë vitit 2023, nga 2.8% që ishte pritshmëria në raportin e prillit. Në raport përmendet që ky vlerësim është bërë përpara vizitës së misionit. Ky i fundit, që përfundoi të hënën vizitën në Shqipëri ka rishikuar sërish në ulje pritshmërinë për performancën e ekonomisë, duke e zbritur në rreth 2%.
Misioni ka ulur dhe pritshmërinë për rritjen e këtij viti, në 3.7%, nga 4% që është në raportin e pasqyrës globale, si rrjedhojë e ecurisë së dobët në tremujorin e dytë të vitit.
“Pas një rritje të lartë në vitin 2021, ekonomia shqiptare ka mbajtur një ritëm pozitiv këtë vit, pavarësisht goditjes që ekonomia globale ka marrë nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Ne parashikojmë që rritja ekonomike për vitin 2022 të jetë 3,7 për qind, mbështetur nga një aktivitet i lartë në turizëm, në pasuritë e paluajtshme dhe tek shërbimet. Rritja parashikohet të ngadalësohet në rreth 2 për qind në vitin 2023, duke pasqyruar kushte financiare më të shtrënguara, ngadalësimin në Europë, dhe tërheqjen e nevojshme të politikave mbështetëse”, thuhej në deklaratën e FMN-së.
Inflacioni, sipas pasqyrës ekonomike globale pritet të jetë mesatarisht 6.2% këtë vit, duke u ngadalësuar në 4.3% vitin e ardhshëm dhe vetëm pas 2023-it do të shkojë në objektivin e bankës së Shqipërisë prej rreth 3%.
“Inflacioni është rritur ndjeshëm dhe po bëhet me bazë gjithnjë e më të gjerë. Norma e inflacionit pritet të arrijë kulmin në muajt në vijim, duke filluar uljen vetëm në vitin 2023 dhe të kthehet në objektivin prej 3 për qind e Bankës së Shqipërisë (BSH) nga mesi i 2024, kur çmimet ndërkombëtare të mallrave të bursës të stabilizohen, politika fiskale dhe monetare të shtrëngohen dhe rritja ekonomike të ngadalësohet. Parashikimet tona të tanishme supozojnë se norma bazë e interesit do të rritet në 3-3.5 për qind në vitin 2022 dhe 4-4.5 për qind në vitin 2023”, thuhet në deklaratën e misionit të FMN-së në Shqipëri.
Rritja më e ulët në rajon
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria pritet që të ketë ritmet më të ulëta të rritjes vitin e ardhshëm, së bashku me Bosnjë Hercegovinën, të dyja me rreth 2%.. Zgjerimin më të fortë parashikohet ta ketë Kosova, me 3.5%, Maqedonia e Veriut, me 3%, Mali i Zi me 2.5 dhe Serbia me 2.7%.
Për të gjitha këto vende FMN ka rishikuar për poshtë rritjen ekonomike, si rrjedhojë e pasojave që do të sjellë ngadalësimi i ekonomisë në Europë dhe çmimet e larta. Vlerësimi më i ulët për ekonominë shqiptare lidhet me politikën shtrënguese fiskale që pritet të ndiqet në vitin 2023.