Vitin e kaluar, pandemia e ndikoi negativisht tregun e fondeve të investimit në valutë të huaj, duke i ulur normat vjetore vjetore të kthimit në nivele negative.
Kjo solli një zbehje të interesit të investitorëve për këto institucione. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se edhe në pjesën e parë të këtij viti rritja e aseteve të këtyre fondeve ka qenë modeste, megjithëse normat e kthimit janë përmirësuar ndjeshëm.
Në fund të muajit qershor, asetet neto të fondeve të investimit në valutë kishin vlerën e 8.83 miliardë lekëve ose rreth 72 milionë euro. Që nga fillimi i vitit, vlera neto e aseteve është rritur me vetëm 0.6%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë vlera e tyre ngelet në rënie, me 2% më pak.
Pesha specifike që këto fonde zënë ndaj totalit të aseteve neto të tregut të fondeve të investimit është ulur në 12.29% në fund të gjashtëmujorit 2021, nga 13.02% në fillim të vitit dhe 13.77% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Aktualisht, në Shqipëri veprojnë katër fonde që ofrojnë mundësinë e investimit në valutë të huaj. Dy prej tyre u licencuan në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Normat e kthimit të fondeve të investimit janë në rimëkëmbje gjatë këtij viti, pasi pësuan rënie të ndjeshme gjatë vitit 2020. Mbështetur në të dhënat e publikuara nga shoqëritë administruese të fondeve, në fundin e muajit korrik kthimet ishin në nivele më të larta për të gjitha fondet aktive në treg. Fondi më i madh i investimit në valutë, Raiffeisen Invest Euro në fund të korrikut raportoi një kthim pozitiv vjetor 3.39%, nga -1.41% në fund të vitit 2020. Megjithatë, normat e përmirësuara të kthimit nuk kanë mjaftuar ende për të zgjuar interesin e investitorëve.
Prurjet e valutës në ekonominë shqiptare vazhdojnë të jenë të larta. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 7-mujorin 2021 vlera e depozitave te reja (ose të rinovuara) në euro arriti në 5.5 miliardë euro, nga 4.4 miliardë euro që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. 51% e depozitave bankare në Shqipëri janë të vendosura në valutë të huaj. Por, një tendencë e ngjashme nuk po verifikohet për fondet e investimit. Në pjesën dërrmuese, shqiptarët preferojnë ta investojnë valutën te alternativat me rrezik më të ulët. Veç depozitave bankare, valuta investohet në vlera të mëdha edhe në tregun e pasurive të paluajtshme, ku transaksionet bëhen kryesisht në euro. Në dy vitet e fundit, ky treg po njeh një fazë të re rritjeje, i mbështetur, veç të tjerash, nga oferta e lartë e kredisë bankare dhe nga investimi i të ardhurave prej ekonomisë informale./E.Shehu
Marrë nga Monitor.al