Kthimet e fondeve të pensioneve private kanë shfaqur një tendencë në përgjithësi pozitive gjatë tremujorit të tretë të vitit.
Të dhënat e publikuara nga shoqëritë administruese tregojnë se kthimet vjetore për tre prej katër fondeve aktive të pensioneve janë në nivele më të larta krahasuar me tremujorin e dytë dhe me fundin e vitit të kaluar.
Në fund të muajit shtator, fondi më i madh Sigal Pension, raportonte një kthim prej 3.69%, nga 3.68% që kishte qenë në mesin e këtij viti dhe 3.53% që kishte qenë për vitin 2020.
Për Credins Pension, në fund të muajit shtator kthimi vjetor nga investimi arriti në 3.09%, nga 2.97% që kishte qenë në fund të tremujorit të mëparshëm dhe 2.85% në fund të vitit të kaluar. Fondi më i ri në treg, Albsig Pension, sipas të dhënave më të fundit të publikuara më datë 25 tetor (ky fond ofron informacion të përditësuar çdo ditë) siguronte një kthim vjetor prej 2.23%: Albsig Pension e plotësoi vitin e parë të aktivitetit në muajin shkurt të këtij viti dhe kthimi nga investimi ishte në nivelin 2.04%.
I vetmi fond me një rënie të lehtë të normës së kthimit është Raiffeisen Pension, që në shtator ka raportuar kthim vjetor nga investimi 4.24% në rënie nga niveli prej 4.37% në mesin e këtij viti dhe nga niveli 4.35% i fundit të vitit 2020. Megjithatë, Raiffeisen Pension ende ka normën më të lartë të kthimit në tregun e pensioneve private.
Pasi pësuan një rënie të lehtë gjatë vitit 2020, kthimet në fondet e pensioneve po shfaqin një tendencë drejt rimëkëmbjes gjatë vitit 2020. Këto fonde kanë një politikë investimesh në instrumente me rrezik të ulët, të përqendruara në shumicën dërrmuese në obligacione afatgjatë të qeverisë shqiptare. Edhe kthimet nga fondet, në afatin e gjatë, janë të varura nga performanca e këtyre instrumenteve.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në mesin e këtij viti numri i kontribuuesve në fondet private të pensioneve arriti në 32,187, në rritje me 3.76% që nga fillimi i vitit 2021 dhe me 5.54% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për sa i takon vlerës së aseteve neto, ritmet e rritjes paraqiten më të larta. Vlera e tyre në mesin e këtij viti arriti në 3.97 miliardë lekë, në rritje me 22.5% krahasuar me një vit më parë dhe me 10.3% që nga fillimi i këtij viti. Tregu i pensioneve private ngelet ende i vogël, megjithatë, ky treg ka ruajtur ritmet e rritjes dyshifrore edhe gjatë periudhës së pandemisë. Personat e anëtarësuar në këto fonde kanë vijuar të rrisin kontributet e tyre, edhe sepse në një pjesë të konsiderueshme ata janë pjesë e skemave që financohen ose bashkëfinancohen nga punëdhënësit e tyre.
Për nga vlera e aseteve neto, fondi më i madh është Sigal Pension me 43.5% të totalit, i ndjekur nga Credins Pension me 29.8%, Raiffeisen Pension me 24% dhe Albsig Pension me 2.7%. Sipas numrit të anëtarëve, aktori më i madh në treg është Credins Pension, me rreth 55.5% të numrit të përgjithshëm të anëtarëve, i ndjekur nga Sigal Pension me 27.4%, Raiffeisen Pension me 9.8% dhe Albsig Pension me 7.2%.
Marrë nga Monitor.al