Aeroporti i Kukësit “Zayed- Flatrat e Veriut” do të hapë sot dyert për herë të parë, dhe do të presë udhëtarët e zgjedhur nga vetë kryeministri EDI Rama, ‘çunat e Londrës’ që sips tij votojnë për Partinë Demokratike. Prej shumë javësh, Rama ka përsëritur në daljet e tij publike se ka zgjedhur 120 kuksianë që do të votojnë për kryedemokratin Lulzim Basha dhe që vetë ai do t’i sjellë nga Londra.
Por jo gjithçka po shkon sipas planit të kryeministrit Edi Rama. Në fakt nuk ka një linjë direkte nga Aeroporti i Kukësit për në vendet e tjera, apo anasjelltas dhe kuksianët e sjellë nga Londra kanë ardhur fillimisht në Rinas, në aeroportin “Nënë Tereza” dhe nga aty bashkë me kryeministrin Rama do të fluturojnë drejt aeroportit të Kukësit.
Edhe në vetë faqen zyrtare të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” shihet se avioni i “Air Albania” i nisur nga Londra, zbret fillimisht në Rinas, duke sjellë kështu një hapje të parakohshme të aeroportit të Kukësit, të cilin Rama e cilësoi një portë e dytë të qiellit të Shqipërisë.
Aktualisht vetë kryeministri Rama dhe djemtë e ardhur nga Londra janë në fluturim, por nuk dihet nëse ky tranzit do të vijojë të jetë në këtë mënyrë apo nëse me kalimin e ditëve aeroporti i Kukësit do të kthehet në një ‘Ndërkombëtar’ siç vetë ka deklaruar kryeministri.