KOSOVË-Kryeminsitri i Kosovës, Avdullah Hoti ka zhvilluar një takim me presidenten e re Vjosa Osmanit. Pas takimit, Avdullah Hoti ka deklaruar për mediat se me Osmanin kanë rënë dakord që të kosultohen në vazhdimësi për menaxhimin e situatës së krijuar në vend pas dorëheqjes së Presidentit Hashim Thaçi, për shkak të konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale.
“Diskutuam për zhvillimet e fundit, u dakorduam që vazhdimisht të konsultohemi në menaxhimin e kësaj situate, për të çuar mesazhin e qartë, për të cilin jam shumë i interesuar, që pavarësisht zhvillimeve politike,, proceseve në të cilat kalon vendi si rezultat i dorëheqjes së Presidentit të vendit, ku forcat politike tash duhet të bëhen bashkë, për të gjetur zgjidhje, të japim mesazhin e maturisë së institucioneve të Kosovës për të iu dalë në ndihmë qytetarëve edhe me pandeminë edhe me problemet ekonomike që vinë prej saj. Mbi të gjitha për të dhënë mesazhin e pjekurisë institucionale të shtetit të Kosovës, karshi komunikimit të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë Hoti.
Takimi ndërmjet Vjosa Osmanit dhe Avdullah Hotit u mbajt në Presidencë, me dyer të mbyllura. Pas konfirmimit të aktakuzës, Kosova ka mbetur pa president të vendit, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga kjo pozitë. Vjosa Osmani mund të qëndrojë si presidente për gjashtë muaj në rast se nuk arrihet të votohet një president i ri në seancë të Kuvendit. Nëse pas këtij afati nuk zgjidhet presidenti i ri i shtetit, Kosova mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.