Finalizohet operacioni i koduar “Banesa”, ndërsa janë zbardhur dhe dokumentuar 12 vjedhje banesash me mekanizmin e hapjes së dyerve me kartë.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin me inicialet A. N., 51 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.
NJOFTIMI I POLICISË
Vihet në pranga autori i dyshuar, i dënuar më parë për vjedhje njëkohësisht dhe i shpallur në kërkim po për këtë vepër.
Sekuestrohen disa prej sendeve të vjedhura (shuma parash, paisje elektronike) dhe karta që autori e përdorte për të hapur dyert e apartamenteve.
Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve dhe zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, Komisariati i Policisë Nr. 2 në bashkëpunim me Komisariatin 3 dhe 4, pas provave të siguruara nga puna hetimore, finalizuan operacionin e koduar “Banesa” në kuadër të cilit ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim:
A. N, 51 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.
Ky shtetas, ishte i shpallur në kërkim pasi mëngjesin e datës 12.11.2021, ka vjedhur një shumë parash dhe një laptop në banesën e shtetasit D. B.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se ky shtetas është dhe autor i 11 rasteve të vjedhjeve në banesa, konkretisht:
* Më datë 12.11.2021, në rrugën “Kastriotët”, ka vjedhur një shumë parash në në banesën e shtetasit L. A;
* Më datë 12.11.2021, në rrugën “Kastriotët”, në banesën e shtetasit K. RR., dyshohet se ka vjedhur shumën 24.300 lekë të reja dhe disa sende me vlerë;
* Me datë 12.11.2021, në rrugën “Kastriotët”, në banesën e shtetasit R. H., dyshohet se ka vjedhur një aparat celular;
* Me datë 24.05.2021, në rrugën “Shefqet Kuka”, në banesën e shtetases G. G., dyshohet se ka vjedhur shumën 20.000 mijë lekë të reja;
* Me datë 05.11.2021, në rrugën “Zija Kambo”, në banesën e shtetasit A. I., dyshohet se ka vjedhur një laptop dhe një aparat celular;
* Me datë 10.11.2021, në rrugën “Fadil Deliu”, në banesën e shtetasit Gj. B., dyshohet se ka vjedhur nje sasi vlerë monetare;
* Me datë 21.09.2021, në rrugën e “Dibrës”, në banesën e shtetasit E. G., dyshohet se ka vjedhur një sasi vlerë monetare dhe një orë dore;
* Me datë 19.05.2021, në rrugën “Eshref Frashëri”, në banesën e shtetasit E. H., dyshohet se ka vjedhur një sasi vlerë monetare;
* Me datë 02.11.2021, në rrugën “Artan Lenja”, në banesën e shtetasit E. K., dyshohet se ka vjedhur një sasi vlerë monetare;
* Me datë 31.10.2021, në rrugën “Don Bosko”, në banesën e shtetasit Sh. B., dyshohet se ka vjedhur dy aparatë celularë dhe një shumë parash;
* Me datë 02.05.2021, në rrugën “Albanopolis”, në banesën e shtetases F. T., dyshohet se ka vjedhur një sasi vlerë monetare.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme proçeduriale.