Bujqësia ka hyrë në një periudhë të vështirë, ku sipërfaqet e mbjella po reduktohen si pasojë e rritjes së çmimeve të inputeve.
Reduktimi i të mbjellave po sjell efekte negative në të gjithë zinxhirin bujqësor. Të dhënat zyrtare të INSTAT referojnë se importet plehrave bujqësore shënuan rënie me 81 për qind në janar 2022 në raport me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Gjatë janarit u importuan vetëm 3094 tonë plehra nga më shumë se 16300 tonë në janarin e vitit 2021. Importi mesatar i plehrave në janar gjatë gjashtë viteve të fundit ishte mbi 14 mijë tonë në janar. Rënia është e ndikuar dhe nga pritshmëria për vendosjen e TVSH-së prej 10% për inputet që hyri në fuqi nga janari 2022, çka i nxiti importuesit që të blinin sasi më të mëdha të plehrave kimike në dhjetor të vitit të kaluar.
Importet e plehëruesve në vlerë ishin vetëm 189 milionë lekë në janar nga 659 milionë lekë në janarin 2021.
Arben Sakollari një tregtar i vjetër i inputeve bujqësorë tek “Pushimi i Shoferit” në zonën bujqësore më të zhvilluar në vend, tha se shitjet e plehrave dhe fidanëve kanë rënë dukshëm. Ai tha se nuk ka marrë furnizime të reja pasi nuk ka shumë kërkesë. Ai tha se” Këtë vit nuk bëhet fjalë për luhatje sezonale të sektorit, por me fenomenin e braktisjes, pasi emigrantët që u kthyen nga jashtë vite më parë dhe investuan kursimet në sera tani po ikin sërish”.
Eduart Sharka një ekonomist me përvojë që mban bilancet e rreth 200 fermerëve në këtë zonë, thotë se shkaktar kryesor për rënien e prodhimit bujqësor është paketa fiskale e vitit 2022 dhe konkretisht dy masa:
E para, norma e kompensimit të prodhuesit bujqësor nga 6% u bë 0%.
E dyta vendosja TVSH-së 10% të furnizimit të inputeve bujqësore, siç janë plehrat kimike, pesticidet, farat dhe fidanët, përveç hormoneve të klasifikuar në kodet 2937 të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave, nga zero për qind që ishin deri në fund të vitit 2021.
Sipas zotit Sharka këto masa fiskale ndaj sektorit bujqësor u morën në një periudhe të vështirë pasi çmimet e lëndëve të para po rriteshin, ndërsa çmimet e ofruara për prodhimet bujqësore ishin në rastin më të mirë njësoj ose më të ulëta.
Presionet e dyanshme rriten kostot e prodhimit nga njëra anë dhe të ardhurat nga shitjet ranë. Pothuajse të gjitha serat rezultuan me humbje para se të nisin efektet e paketës fiskale. Me gjithë defektet që kishte skema e subvencionit të TVSH ajo arrinte të mbulonte deri diku humbjet tek fermerët. Edhe pse skema e TVSH -së favorizonte zinxhirin e grumbullimit, fermerët morën çmimet më të larta nga tregtarët e grumbullimit ata pasi arrinin të mbanin një normë të kënaqshme fitimi pikërisht nëpërmjet skemës së kompensimit në bujqësi.
Stimujt u hoqën në një kohë që qeveria nuk kishte menduar një skemë të re kompensimi për fermerët duke bërë që shumë prej tyre prej humbjeve të larta të mos mbjellin për sezonin e ri.
Braktisja e serës sikur edhe një sezon të vetëm, krijon hendek të madh në të gjithë zinxhirin bujqësor dhe më vonë kërkon kosto të dyfishta për ta rimbjellë./B.Hoxha
Marrë nga Monitor.al