SERBI– Një incident ka ndodhur mëngjesin e sotëm në kufi mes Serbisë dhe Kosovës. Nënkryetari i Bashkisë së Beogradit, Goran Vesiç është ndaluar që të kalojë kufirin, duke shkaktuar panik dhe ekzagjerim të ngjarjes nga pala serbe. Për “Alo.rs“, Vesić shpjegoi në detaje detajet e incidentit, duke u shprehur se do të inspektonte nga afër dy pika ndërtimi në Mitrovicë.
“Ishte planifikuar një turne në dy kantiere, njëri prej tyre është shesh lojërash për fëmijë, dmth një park që po ndërtohet në qendër të Mitrovicës së Kosovës, por edhe një ndërtesë për rreth dyzet persona,”-u shpreh ai.
Goran Vesić shpjegoi se vendimi që ai mos të kalonte nuk ishte i njerëzve por i politikanëve që janë atje.
“Ata që më ndaluan të hyj në Kosovë. Ky është vendimi i qeverisë së Hotit, ata duan të parandalojnë bashkëpunimin, ata po thonë qartë se nuk duan ndonjë bashkëpunim me ne nga Beogradi. Policët më treguan një dokument në të cilin thotë se unë jam kërcënim për rendin dhe paqen publike, por edhe për sigurinë e Kosovës. Ata ishin shqiptarë që flasin serbisht dhe që thanë se u vjen keq por se ishte një vendim i qeverisë. Kjo tregon qartë se njerëzit e zakonshëm duan paqe dhe bashkëpunim, dhe vendimi i qeverisë është i çmendur. Nëse Hoti do të kishte thënë se ai dëshironte të ndërtonte një shesh lojrash në Preshevë, askush nuk do të kishte protestuar,“-shtoi Vesić.
Disa ditë më parë edhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç kërkoi që të pranohej në Kosovë për një vizitë së bashku me Kreun e zyrës për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq, Ministrin e Punëve të Jashtme, Aleksandër Vulin dhe Marko Gjuriq, por nuk është miratuar.