Tregu i Titujve të Qeverisë për periudhën janar-qershor 2021 ka shënuar ulje në 6 muajt e parë të viti. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) transaksionet për “shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar” ishin 1.45 miliardë lekë për 6 mujorin e parë, duke rënë me 17.2% me bazë vjetore. Tkurrja ishte më e fortë te individët, me 28.7%, të cilët kanë dhe pesëhn kryesore të këtij portofoli, me 80%.
Edhe transaskionet për “Blerje para afatit të maturimit” ranë me 26.3%, për 6 mujorin e parë 2021, duke zbritur në 1 miliardë lekë. Efektin në këtë tkurrje e dhanë personat juridikë (-92%), të cilët zotëronin 38% të këtij portofoli në janar-qershor 2020, ndërsa këtë 6 mujr pesha e tyre u reduktua në vetëm 4.2%.
Sipas burimeve nga AMF, kjo tendencë e rënies ka kohë që vijon dhe lidhet me sjelljen në treg të investitorëve. Individët po preferojnë t’i mbajnë titujt deri në afatin e maturimit ( held to maturity) dhe nuk i shesin para afatit të maturimit. Ka patur edhe më pak transaksione si numër në tregun sekondar. Dhe në 2020, psh veprimi B, dmth shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar ka pasur ulje prej afro 48 per qind, dhe kjo tendencë varet dhe nga politika e bankave se sa tituj kanë vënë në dispozicion në portofolin e tyre për shitje Por kjo sjellje varet edhe nga gatishmëria e investitorit për të blere. Sipas ekspertëve, likuiditeti i ulët në tregun sekondar është një nga problematikat kryesore që ka tregu i kapitaleve.
Tregu i titujve
Sipas njoftimit të AMF-së, vëllimi i tregut sekondar të titujve të Qeverisë për periudhën janar-qershor 2021, u dominua në masën 64.84% nga transaksione në instrumente afatshkurtër (bono thesari) dhe 35.16% nga transaksionet në instrumente afatgjatë (obligacione). Parë nga këndvështrimi i numrit të transaksioneve, 82.57% e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të titujve të Qeverisë, i takojnë transaksioneve të kryera në bono thesari.
Të dhënat statistikore të tregut me pakicë të titujve të Qeverisë për periudhën janar-qershor 2021, flasin për një dominim të transaksioneve “Blerje në tregun primar” dhe “Shlyerje e vlerës nominale në maturim” përkatësisht me 51.68% dhe 34.42% kundrejt vëllimit të përgjithshëm.
Pjesëmarrja në tregun sekondar të titujve të Qeverisë, për periudhën janar-qershor 2021 dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë 98.95% të të gjitha transaksioneve në këtë treg.
Dy grupet e transaksioneve B dhe C
Transaksioni i llojit B “Shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar” gjatë periudhës janar-qershor 2021, ka pasur një ulje prej 301 milionë lekë ose 17.19% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Numri i transaksioneve i llojit B është ulur në masën 20.93%.
Transaksioni i llojit C “Blerje para afatit të maturimit” gjatë periudhës janar-qershor 2021, ka pasur një ulje prej 364 milionë lekë ose 26.32%, gjithashtu pati një ulje në numrin e transaksioneve në masën 7.30%, krahasuar me periudhën janar-qershor 2020.
Në totalin e transaksioneve të llojit B dhe C të marra së bashku, vihet re një ulje në vlerë absolute me rreth 665 milionë lekë, krahasuar me periudhën janar-qershor 2020.
Marrë nga Monitor.al