Përdorimi i internetit nga rrjetet celulare u rrit me ritme të larta vjetore edhe në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se trafiku total i të dhënave arriti në 42 milionë GB (Gigabyte), në rritje me 57% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja ka përmasa të mëdha edhe e matur si trafik mesatar për përdorues. Gjatë tremujorit të fundit të vitit 2021, çdo përdorues shpenzoi 6.8 GB internet në muaj, me një rritje prej 52.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas AKEP, në fund të vitit të kaluar u raportuan 2.06 milionë përdorues të internetit me brez të gjerë nga rrjetet celulare, në rritje me 2.9% krahasuar me fundin e vitin 2020.
Interneti gradualisht po bëhet shërbimi më i rëndësishëm i komunikimit i ofruar përmes rrjeteve celulare në Shqipëri. Aplikacionet e bazuara tek interneti po zëvendësojnë pjesërisht edhe komunikimin direkt nga rrjeti. Kjo provohet nga fakt që, ndërsa trafiku i të dhënave nga këto rrjete është në rritje me ritme të shpejta, trafiku i thirrjeve dhe i mesazheve të shkruara po bien vazhdimisht. Gjatë tremujorit të fundit 2021, volume total i thirrjeve nga rrjetet celulare ra me 3.4%, ndërsa numri i mesazheve të shkruara (SMS) ra me 8.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Këtë vit Shqipëria pritet të hapë garën për kalimin në gjeneratën e radhës të shërbimeve celulare, atë 5G. Kjo pritet të rrisë edhe më shumë potencialet e shërbimit për operatorët celularë. Rrjetet 5G mund të ofrojnë shpejtësi maksimale interneti që tejkalojnë kufirin e 10 Gbps ose 10 herë më të larta krahasuar me versionet më të avancuara të teknologjisë 4G.
Procedura e tenderit për dhënien e autorizimeve për përdorimin e frekuencave në brezin kryesor
të teknologjisë 5G, atë 700 MHz (694-790 MHz) të shpallet në gjysmën e dytë të këtij viti.
Ky brez shfrytëzohet ende nga operatorët e shërbimeve televizive dixhitale, por sipas Planit
Kombëtar të Frekuencave, që u miratua në mars të vitit të kaluar, brezi 694-790 MHz, do të kalojë përfundimisht nën administrimin e AKEP duke filluar nga 30 qershori 2022.
Këtë vit, tregu celular pritet të pësojë një ndryshim të rëndësishëm në strukturën e tij. Blerja e operatorëve ALBtelecom dhe ONE nga kompania hungareze, 4iG, pritet ta ulë numrin e operatorëve, nga tre në dy. Ky transaksion do të krijojë operatorin më të madh në treg për nga numri i përdoruesve aktivë. Mbështetur në shifrat e raportuara nga AKEP, në fund të vitit 2021, të dyja kompanitë së bashku kishin 1.44 milionë përdorues aktivë të shërbimeve celulare në fund të vitit 2021.
Kjo shifër përbën pothuajse 55% të numrit të përgjithshëm të përdoruesve aktivë. Një nga arsyet që Autoriteti i Konkurrencës i hapi rrugën këtij transaksioni ishte vështirësia e ALBtelecom për të mbijetuar në tregun celular, mbështetur në performancën e vazhdueshme negative financiare, që nga fillimi i aktivitetit të saj në këtë treg. Besohet se bashkimi dhe krijimi i një operatori më të madh mund të rrisë eficiencën e operatorëve dhe të shtojë kapacitetet investuese, sidomos në optikën e kalimit të afërt në teknologjinë e re 5G. Në teori, kjo mund të balancojë ose tejkalojë efektet potenciale negative në konkurrencë nga pakësimi i numrit të operatorëve në treg./E.Shehu
Marrë nga Monitor.al