BIRN/ Nga fillimi i pandemisë së COVID-19, nga aeroporti i Rinasit kanë fluturuar 565 chartera ambulancë drejt Turqisë dhe më pak drejt Italisë, duke u kushtuar pacientëve shqiptarë mbi 6.7 milionë euro për udhëtime dhe 12 milionë euro të tjera për kurimin në spitalet private.
Bilal A*, 54 vjeç, zbuloi se kishte COVID-19 pas një skaneri në 10 gusht. Burri thotë se u shqetësua, por jo aq sa të alarmohej. Ai mori mjekime dhe për 10 ditë u kurua në shtëpi, por gjendja nuk po përmirësohej.
“Temperatura nuk po binte, gjendja u përkeqësua,” i tha ai BIRN, duke kërkuar që të mbetej anonim.
54-vjeçari që drejton një biznes funeral në Tiranë iu drejtua Spitalit Infektiv në ditën e 11-të, i sëmurë rëndë, por qëndroi aty më pak se 48 orë. Ai thotë se një prej mjekëve që kujdesej për të i kishte thënë se aty “nuk mund të shpëtonte”.
“Në spital gjendja ime ishte më e keqe,” tha ai, ndërsa u ankuar se medikamentet nuk i kishin bërë asnjë efekt.
Të afërmit e tij jashtë spitalit mblodhën paratë dhe e nisën drejt Turqisë, përmes një prej shumë kompanive që po veprojnë në biznesin në shpërthim të ambulancave ajrore.
“Kur na u rreziku jeta, bëmë zgjidhje individuale dhe shkuam në Turqi, në Stamboll me charter,” i tha ai BIRN.
Qindra shqiptarë të tjerë kanë bërë të njëjtën zgjedhje të vështirë që prej fillimit të pandemisë për t’u kuruar nga COVID-19.
Autoriteti i Aviacionit Civil, AAC, i tha BIRN në përgjigje të një kërkese për informacion se deri më 18 nëntor kishte pasur 565 “fluturime për qëllime mjekësore” nga Rinasi, shumica dërrmuese e të cilave në muajt tetor dhe nëntor.
Të dhënat e AAC tregojnë se numri i fluturimeve u rrit nga 5 në muajin maj, kur epidemia COVID-19 ishte ende nën kontroll, në 152 fluturime gjatë muajit tetor. Muaji nëntor shënoi një rekord të ri me 206 fluturime për qëllime mjekësore deri me datë 18.
Nga të dhënat e mbledhura nga dy kompani që ofronin shërbimin e avionit ambulancë, pacientët shqiptarë kanë shpenzuar rreth 6.7 milionë euro vetëm për fluturimet jashtë shtetit. Shpenzimet minimale për ditët e qëndrimit të tyre në spitalet e Turqisë llogariten të kenë kushtuar edhe rreth 12 milionë euro të tjera.
BIRN mësoi se çmimi mesatar për një fluturim me charter kushton 12 mijë euro, ndërsa një natë qëndrimi në spitalet e Shqipërisë kushton mesatarisht 1200 euro. Pacientët e COVID-19 shpenzojnë minimalisht 15 ditë qëndrimi në spital.
“Në total shpenzova 45 mijë euro, vetëm charteri 15 mijë euro dhe 30 mijë euro qëndrimi në spital për 20 ditë,” tregoi Bilal A. Ai shtoi se në shpenzime nuk përfshihej kthimi pas me avion normal pasagjerësh me të vëllanë dhe shpenzimet e tjera të vogla.
“Ça të them? Jemi në borxh, jemi me minus,” tha ai përmes një bisede telefonike.
KAPACITETET NË DYSHIM
Numrat e të infektuarve me COVID-19 janë rritur ndjeshëm në tetor dhe nëntor në Shqipëri. Deri më 19 nëntor, vendi numëronte mbi 15 mijë raste aktive, 424 të shtruar në spital dhe 657 të vdekur.
Shifrat zyrtare nuk përfshijnë qindra raste të tjera, që sipas informacioneve që BIRN mblodhi në terren, shmangin testimin me tampon për metoda alternative si skaneri apo grafitë.
I pyetur për pacientët që kuroheshin jashtë vendit, kryeministri Edi Rama pretendoi në një intervistë televizive se shërbimi që ofronin spitalet shqiptare ishte i njëjtë, ndërsa tha se qeveria “nuk ndalonte askënd” të udhëtonte.
Por me kurbën e infeksioneve në rritje dhe me spitalet COVID në ezaurim, është e paqartë se sa mund të përballojnë spitalet e vendit. Një infermiere në spitalin “Shefqet Ndroqi” i tha BIRN në kushte anonimati se veç mungesës së shtretërve, problem mbetej mungesa e stafit.
“Kemi anëtarë të stafit të infektuar dhe tani ngarkesa është e jashtëzakonshme. Ka që po mendojnë të heqin dorë,” tha infermierja.
Mjeku Erion Dasho i tha BIRN përmes telefonit se kapacitetet njerëzore ishin ndryshimi i vetëm mes mjekimit në vend dhe atij jashtë.
“Një i afërm i imi udhëtoi në Turqi dhe pagoi 1200 euro ditën e qëndrimit. Nga ana mjekësore asgjë nuk ndryshonte që t’ia vlente pagesa. I vetmi ndryshim është që ke një infermier që kujdeset për një pacient dhe shërbimi i hotelerisë,” tha ai.
Dasho shtoi se qeveria mund t’ua kishte kursyer qytetarëve këto shpenzime, nëse do kishte marrë masa më herët dhe nëse do kishte dëgjuar këshillat e ekspertëve.
Edhe kompanitë që kryejnë transportin jashtë vendit flasin për një fluks në rritje të kërkesave nga Shqipëria. Doktoreshë Arjana Sina, drejtuese mjekësore e International Turkish Hospital e quajti gjendjen “ të jashtëzakonshme”.
Ajo detyrohet të ndërpresë bisedën çdo minutë për t’iu përgjigjur njërit prej dy telefonave që ka në tavolinë. Mjekja imazheriste tha se nga skanerat që bëheshin në spital, rezultatet ishin 80 për qind pozitivë për COVID-19.
“Ngarkesa është e frikshme, bëjmë 60 skanera në ditë dhe nga këto 80 për qind janë pozitivë dhe shumë janë të rënduar,” i tha Sina BIRN.
Ajo shpjegoi gjithashtu se International Turkish Hospital po dërgonte pacientë në “Istinye University Medical Park” në Stamboll dhe se fluksi i udhëtimeve ishte rritur prej fillimit të tetorit dhe po ashtu edhe numri i kërkesave. “Fluturime ka çdo natë,” tha Sina.
Mjekja imazheriste tha se ata nuk i pranonin të gjitha rastet, duke vënë në dukje se shanset e mbijetesës së personave të intubuar për shkak të COVID-19 ishin të njëjta si në Shqipëri, edhe në Turqi.
“Në rastet e intubuara, shanset janë njësoj si atje si këtu. Duhet thënë kjo, pasi unë nuk dua që njerëzit të futen në borxhe apo të shesin shtëpinë dhe vihen në siklet, se bëhet fjalë për jetën e njeriut,” tha ajo.
Edhe Margarit Dado, drejtues ekzekutiv i Albanian Intercare Services – një kompani e specializuar në transportin e urgjencave mjekësore, tha se pas shpërthimit të infektimeve nga COVID-19, numri i kërkesave ishte rritur. Dado tha se transporti kishte një sërë specifikash dhe pavarësisht kërkesave, mjaft raste refuzoheshin.
“Ka katër kërkesa që të kryhet transporti. Duhet një pasaportë e vlefshme për 6 muaj në Turqi, një raport i gjendjes jetike të pacientit, përfshi saturimin e gjakut, tensionin apo problemet e tjera, pagesa si dhe një letër pritëse nga spitali, sepse nuk të pranon avioni nëse nuk e ke.. Rrezikon të mbetet pacienti në barkun e avionit,” tha Dado.
Sipas Aviacionit Civil, mbi 87 për qind e fluturimeve për qëllime mjekësore kishin si destinacion Turqinë. AAC shpjegoi se 496 nga 565 fluturimet ishin për në Turqi, pjesa më e madhe e të cilave në Stamboll. Vetëm 20 prej këtyre fluturimeve kishin si destinacion Ankaranë.
Ndërkohë, drejt Italisë ishin bërë 37 fluturime kryesisht në Romë dhe pjesa tjetër në numra më të vegjël ndahej mes Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës.
NDËRMJETËS DHE CHARTERA TURISTËSH
Numri i lartë i kërkesave për kurime jashtë shtetit ka krijuar një treg pjellor edhe për spekulime. Sipas Dados, në lojë janë përfshirë edhe kompani jo të specializuara, që sipas tij rrezikojnë pacientët.
“Ka kompani që organizojnë udhëtime turistike dhe tani po marrin prenotime për chartera mjekësorë. Ka kompani funerale që po marrin prenotime, që është thelbësisht kontradiktore,” tha Dado.
Ai pranoi se shumë pacientë po paguanin tarifa të kripura.
“Po i shohin si xhetona,” tha ai, ndërsa shtoi se ndërmjetësit merrnin 10 deri në 20 për qind të tarifave nga spitalet. Dado vuri gjithashtu në dukje se kjo përfshirje e kompanive të paspecializuara vinte në rrezik serioz pacientët, për shkak se transportimi i të sëmurëve kishte kritere. “Kemi bërë regres në këtë pikë,” shtoi ai.
Kompania e Dados realizonte fluturime edhe nga vende të tjera të rajonit, Maqedoni e Veriut dhe Kosova, por ai tha se situata në Shqipëri ishte më e rëndë.
Edhe mjekja Sina vuri në dukje se në treg kishte dhjetra operatorë të tjerë, që në mjaft raste nuk kishin lidhje me mjekësinë.
“Janë shumë që kryesisht bëjnë rolin e ndërmjetësit,” shtoi ajo.
Të dy operatorët i dhanë BIRN çmime të ngjashme shërbimi që vareshin kryesisht nga gjendja e pacientëve. “Nëse nuk ka urgjencë dhe pacienti mund të udhëtojë vetë, charteri mund të prenotohet përpara dhe çmimet shkon deri në 10 500 euro, por nëse rasti është urgjent, vetëm udhëtimi mund të shkojë 20 mijë euro,” shtoi ajo.
Të dy kompanitë po ashtu treguan për çmime të ngjashme të shtrimit në spitalet në Turqi. Për një person që kërkonte ndihmë të specializuar, çmimet sipas Dados varionin nga 1200 në 3500 euro dita në spitale që ofronin hoteleri më luksoze. Dado tha se për qëndrimin në pavione normale, pagesa shkonte rreth 600 euro dita.
Sipas Sinës, çmimet në spitalin me të cilin ata bashkëpunonin shkonin nga 1500 euro dita për një pacient që do trajtohej në një situatë normale, deri në 2000 euro për pacientë që ishin në intubim.
Të dy ndërkohë ngritën shqetësimin e mungesës së sigurimeve shëndetësore për shqiptarët. “Një pacient që ka sigurime shëndetësore nga një vend i Europës nuk paguan asnjë qindarkë nga xhepi,” tha Dado.
Mungesa e sigurimeve private shëndetësore u pamundësonte shqiptarëve të përballonin mjekimin pa u futur në borxhe.
“Shqiptarët paguajnë siguracione shëndetësore në shtet, por nuk marrin shërbimin,” përfundoi mjekja Arjana Sina./ BIRN