Emri i Arbana Osmanit dhe Eduart Grishajt kanë qarkulluar prej disa javësh në media e portale si pjesë e ekipit drejtues të festivalit të fundvitit në RTSH. Arbana do të jetë prezantuese, ndërsa Eduarti regjisor.
Pritet që edicioni i 61-të i festivalit do të prezantojë disa risi, mes të cilave edhe ajo e përzgjedhjes së këngës përfaqësuese në Eurovision.
I ftuar në “Ditë pas dite”, Grishaj tregoi si e ka pritur drejtimin e festivalit, por edhe u ndal në risitë që ka ky kompeticion i rëndësishëm i muzikës.
“E di si më duket kjo? Sikur luan me Tiranën apo Vllazninë dhe vjen një moment që luan me Kombëtaren. Kjo është një gjë kombëtare, është shumë e bukur. Ne jemi rritur me festivalin e fundvitit, që kur kemi qenë të vegjël. Ishte i vetmi program që e prisnim. Kam një ndjeshmëri të mirë për këtë gjë.
Mendoj që jemi bërë një grup që do japim maksimumin edhe duke ndryshuar disa gjëra që vitet e fundit ne mendojmë se mund të ishim bërë më mirë dhe që ne do të bëjmë një revolucion. Një nga elementët që ne mendojmë se mund të jetë interesant është votimi i publikut, pra do ta zgjedhë ai se cila këngë do të shkojë në Eurovision”,– tha Eduart Grishaj.