Kanadaja ka miratuar vaksinën e kompanisë Pfizer-BioNTech kundër Covid-19, duke u bërë vendi i dytë në botë që e miraton këtë vaksinë, pas Mbretërisë së Bashkuar. Autoritetet e shëndetësisë në Kanada e quajtën këtë një “moment historik” në luftën kundër koronavirusit. Vaksina fillimisht është autorizuar për përdorim tek njerëzit e moshës mbi 16 vjeç. Punonjësit e shëndetësisë dhe grupet e ndjeshme të njerëzve, përfshirë të moshuarit, do të jenë ndër të parët që do ta marrin atë.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau ka thënë se vendi do të marrë deri në 249.000 doza të vaksinës këtë muaj.