Për shkak të situatës së Koronavirusit, në vendin tonë u anuluan disa evente kulturore, mes tyre edhe koncerti i këngëtarit Maluma.
Duke qenë se edhe vendet e Europës po shkojnë drejt hapjes dhe nisjes së koncerteve, edhe Shqipëria do të nisë aty ku e la para pandemisë. Ardhja e Maluma-s në Tiranë u lidh ngushtë me Ditën e Verës dhe data e re e këtij koncerti është vendosur pikërisht në 14 mars 2022.
Bashkia Tiranë dhe kompania RedCloud si organizatore e këtij koncerti bën me dije se nuk do të ketë rimbursim të biletave të blera, por ato do të jenë të vlefshme për datën e re të koncertit.
“Biletat mund të përdoren nga personat që i kanë blerë ose persona të tjerë që do të duan t’ua dhurojnë ose rishesin të njohurve të tyre, ose palëve të treta që janë të interesuar për të blerë këto bileta,” informon kompania.
Organizatorët këshillojnë që ata që duan të shkojnë në koncert t’i ruajnë biletat e tyre pasi çmimet e biletave për koncertin e 14 marsit 2022 do të jenë më të shtrenjta.
Platforma www.vivere.al për shitjen e biletave do të jetë aktive brenda muajit maj 2021.